O zonjë fisnike dhe e ëmbël
o dritë qe vetëtin në qelqe
kanë thëne që jeta është një ëndërr
po imja ishte shumë e keqe.
Po shpirti im s’e njeh pendesën
dhe pse pa gjumë m’u shua syri
gjithmonë t’i ngrihesh mbi harresën
si një statujë e lartë floriri!
E cili burrë do kish guxim
një kryevepër të harronte
edhe të tretej në harrim
siç desha unë të bëja sonte.
Po asnjëherë nuk ka harresë
sa ende zjarri djeg te gjiri
ndaj ti u gdhende në kujtesë
si një statujë e lartë floriri.
Po ç’kemi tjetër nga kujtimet
më të sigurt në këtë botë
Vetëm kujtimet, Zonja ime
as Zoti vetë s’na i vjedh dot!
Po ti ke qenë në zemrën time
çdo orë të natës dhe të ditës
ti ishe flakë vetëtime
po unë nuk kisha rrufepritës.
Po unë qëndrova krejt zbuluar
përballe rrufesë që flakërinte
ndaj fundi im i merituar
nga vetëtimat do më vinte .
E kush do ishte ai burrë
t’i hidhte sytë te një tjetër ?
Jo kjo nuk mund të ndodhte kurrë
se ishe ti një kryevepër!