Në mua për një çast pranvera lotoi,
më mbërtheu një zë i largët,
i heshtur,
si puhizë e ngrohtë,
në sythe derdhur e mbledhur,
dhe shiu mbi xham sumbullon,
ditëprilli udhëton,
në kanatat e gjëra të dritares,
koh’e mugët veten deshifron,
veç valët e liqenit vallëzojnë paqtë,
në mendimet e mia,
limfa e muzës shpërthen,
bashkë me lulet erëmira.
…
në përhumbje ca pyetje,
ku jam,
ku duhet të jem,
ku ledhatohet fjala në dehje optike,
cicërima,
mall,
aromë stine,
më vijnë përanësh
si tinguj të një violine.
…
s’e di,
asnjëherë njëjtë lexuar,
e qeshura e thyer,
në asgjëkundi botë e vonuar,
pik’loti,
nostalgji,
momente…dëshira,
ndërsa mëkoj në qetësi,
e pafund duket hapësira…