Të shëtis gjithë botën mbanë
Me pëllëmbë të shkel dynjanë,
Të prek tokë, ajër e det
Veç vendlindja më është mbret!
Rreth e rreth botës t’i bie
Të thith aromë dashurie,
Dashurisë për vendin tim
Kurrë nuk i gjeta çmim!
Më të bukur vend nuk ka
Aty ku dielli sytë më pa,
Ku qesha për herë të parë
Ku thashë të parën fjalë!
Aty ku dëgjova zërin e nënës
Ku më qeshi dritë e hënës,
Gjunjët ku vrava n’prag të derës
Ku putha lulet e pranverës!
Në kalldrëm çapat kur hodha
Nëna s’më lëshoi nga dora,
Lëndinës me lule plot
Dehur me aromë borzilokë!
Nuk gjeta si vendi im
Të më zgjoi një blegërimë,
Të shëtis male e fusha
Aromë bliri t’më vijë gusha!
Më merr malli të hedh valle
Të shoh kodër edhe male,
Këmba të më shkel në baltë
Aty m’duket sikur shkel mjaltë!
Vendi huaj s’është i ëmbël
S’të shëron shpirt e zemër,
Vendi im është fukara
Por, më të bukur nuk ka !
Aty ndihem shumë e pasur
Mbushur plot , s’jam e varfër,
Aty ku zoti jet më dha
Asnjëherë shpirti s’mu nda !
Të dua ty vendi im
Larg teje s’kam shërim!