Wednesday, July 16, 2025
BallinaVitrina e libritNikolle Loka -Një cikël me lirika nga vëllimi poetik "Ishulli i fjalëve"

Nikolle Loka -Një cikël me lirika nga vëllimi poetik “Ishulli i fjalëve”

Në sheshin“Skënderbej”

Ti më pyet,
unë s’të marr vesh,
dhe vendos një simbol në kalendar.
Unë s’mbaj ditar.
Gjithçka që ti sheh,
në qiell ma fsheh një re e bardhë.
Unë të pyes,
e s’të kam pranë:
A është largësia plagë,
a peshon rëndë!
Largësia ç’fsheh,
kur botën sheh,
në sheshin “Skënderbej”,
në Tiranë.

Më thuej!

Kanë çel mimozat,
a thue asht vegim ere,
më thuej:
Pranvera po kthehet me ftyrë!
E tash s’po di,
a ndodh si herët e tjera,
me të dashtë, a me t’urrye!
Nëse të due petlat t’i sjell era,
si një parfum,
aromë të sjell e verdha,
me të urrye s’po mund.

Kanë çel mimozat,
a thue asht vegim ere,
më thuej,
a thue asht vegim andrre,
më thuej!

Andrra vere

Kur randshëm qiellit i rrijnë retë,
ndër andrra vjeshte kam me pa,
gjethe të kputuna që nuk zajnë vend,
e përnjimend,
kam me e dashtë nji tjetër vend.
Nji tjetër vjeshtë pranverës ka me i ngja,
kur e mshtjell n’imazhin tand.

E andrra vere kam me pa…

E hedh vështrimin…

E hedh vështrimin larg
dhe sytë i vesh me largësi,
kërkon në atë vështrimin tënd dy botë,
veç dy,
një hënë të plotë e një qiri.
Një qiell të pakohë që thyhet lehtë,
një yll polar që zbret në rrjedhë,
e s’të shqitet sysh.
E hedh vështrimin larg
mbi copa qiejsh…

Kur të mbarohet koha

Kur të mbarohet koha
e gjithçka të hidhet pas krahëve,
zhveshur prej mitit,
në pikëpyetje kthehet Zbulesa…
Në statuja varresh
pret të sotmen e djeshmja,
rishfaqet
refreni i mungesës – pendesa.
Amshimi
në kryqëzime shpirtërash mishërohet,
kryqi lëshohet përtokë si një hije,
çlirohen ideale
të prangosura prej harrimit,
një frymë përjetësie lulesh
që çelin e zgjohen,
në vendtakime hamendjesh,
në mes dilemash të gjumit dhe zgjimit…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT