Po të thirri zëri i dashurisë,
dëgjoje dhe ndiqe nga pas,
po të thirri zëri i dashurisë,
bëje të shenjtë atë çast!
Po të thirri zëri i dashurisë,
i vetmi zë i vërtetë,
dëgjoje-vetëm-dëgjoje,
dhe ec pas tija në jetë!
Po të thirri zëri i dashurisë,
Do jesh njeri me fat,
Dëgjoje dhe ndiqe nga mbrapa,
Se jeta nuk është aq e gjatë!
Po të thirri zëri i dashurisë,
të tjerët janë zëra me koti,
i kthjellët si tingull këmbane,
i shenjtë si zëri i Zotit!
Po të thirri zëri i dashurisë,
mos i ik-mos iu fshi-mos iu tret,
se këmbanë e shenjtë e një zemre
vetëm një herë kumbon në jetë!
Po të thirri zëri i dashurisë,
kudo që të jesh-ti përgjigju,
dhe akull i ngrirë të jesh,
ti ndizu-ti ndizu dhe digju!
Po të thirri zëri i dashurisë,
mos i ik-asnjëherë, mos i ik,
ai të thërret veç një herë,
magjinë e tij mos e fik!…
Po të thirri zëri i dashurisë,
mos i trego asnjeriu,
dhe veten përjetë do ta ndjesh,
si para Zotit-Moisiu!