Janë fjalët e tyre si këngë të vjetra,
që s’harrohen kurrë, ato janë vetë jeta,
nënëloket tona – shtylla të jetës,
mbështjellë me shallin e së vërtetës.
Janë sytë e tyre si prush i ndezur,
që ruajnë djepin e dheut me mall,
e kanë parë lotin, kanë ngrënë dhe gurin,
por s’janë lëkundur – kanë mbetë si mal.
Duart e plasaritura, shenja të punës,
që bukën nxorën nga gjiri i varfërisë,
me gishtat e tyre arnuan shpresat,
çdo ditë një lutje, çdo natë një dritë.
Fjalët e tyre janë urtësi e tokës,
me një shikim shërojnë e dhënë guxim,
na rritën me rrëfime për trimat e lashtë,
na bënë të kuptojmë ç’do të thotë ndriçim.
Patën qenë nuse me trup të drobitur,
kanë pritur burrat që kurrë s’u kthyen,
e sërish mbi plagë kanë rritë fëmijët,
me gjak e me zemra që nuk u thyen.
Në flamur e shohim hijen e tyre,
te çdo shall i zi është një betim,
nënëloket tona – janë amaneti,
që s’e falim kurrë në asnjë shtegim.
Janë ato që mbajtën vatrën në shpirt,
kur shtëpia u dogj, mbet veç kujtim,
e në dhé të shenjtë mbollën lirinë,
me lotin e tyre, me djersë e qëndrim.
]
Në heshtjen e tyre ka zhurmë universi,
ka histori që s’mban as libri i botës,
janë këngë të pashkruara, gurë të rrënjosur,
nënëloket tona – ngrohtësi e votrës.
Nëse do të dish ç’është zemra e truallit,
shiko një nënëloke tek rri nën një blerim –
ajo është udha, është themeli, është fjala,
ajo është Kosova – vetë shpirti im.