Bie mbrëmja…
Të njëjtat gjëra si më parë.
Tulatet nën kryqe lotësh prilli
Mbi shpinë gjelbërimet ka marrë.
Rrugët ku eci grinden nën lëkurë
Mërmërijnë…dalje tjetër s’kanë
Si hijet e qafës sate kur i mund gjumi
Dhe shndërrohen në imazhe zogjsh
Krahëbardhë
Që, të lirë, rrugën humbin.
Nuk di ku duhen hapur portat e ajrit
Që njeriu të kërkojë njerinë
Humbëroj me të gjallët
Në këngët që ngre lumi
Një kometë ul mbi lisin e fisit tim.
Si një mendim fytyrëngrënë
Përvidhet jeta
Pa shtyllë kurrizore
Rri qarkuar
Nga reflekset që dërgojnë
Ujërat e rizgjuar.
Rrugët e mia nuk ekzistojnë dot pa mua;
Edhe kur dredhojnë me nofullat
Ngërdheshur.
Gjithmonë mbaj peshën e tyre
Që klith për të vërtetën
E yjeve të fshehur.
Çdo ditë mbi to lënë gjurmët e tyre
Kohërat, harrimet
E botëve…Ikjet e dhimbshme…
Që nuk i shpikën njerëzit
Nuk i zbritën shkallët e agimeve
Me rrëmujë ngjyrash e buzë vërshimesh.
Janë thjesht horizonte
Tej mjegullave, që ecin hutueshëm
Dhe çojnë te ëndërrat
Kohët që nuk kanë ardhur
Të shkuarën e mbartin te e sotmja
Në heshtje të përçartur.
Rrugët
Janë alfabeti ynë
Një mënyrë për të parë qiellin
Duke na mësuar heshtur si shkohet
Pa mëdyshje drejt një pritjeje të paardhur.
BOSH
Shkretëtirë pa anë
Qielli, ajri treten
Jetoj në një ditë
Që rri me vetveten.
Kërkoj lumenjtë e nëntokës
Ku dashuria
Fillon e mbaron
Bota zhduket përtej horizonteve
Që qajnë në pamjen tonë.
BISEDË ME DRURËT
Në bisedë me drurët
i mësoj nipit pesëvjeçar,
gjeografinë e pemëve
si një proverb puhizash
që në fund të ujërave zbërthehet.
Qielli bie mbi mbrëmjen,
Vijnë gjelbërimet me drita larë
Ëndërrat e pemëve çukisin zogjtë
Dhe pamje tjetër kanë marrë…