Një thirrje për zgjuarje kombëtare
Populli shqiptar në Kosovë nuk fitoi lirinë me letra, por me gjak. Nuk e fitoi pavarësinë në konferenca, por me djersën, jetët dhe idealet e djemve e vajzave që nuk kursyen asgjë për lirinë. Por ç’ndodhi më pas?
Pas luftës, nuk erdhi paqja që ëndërruam. Erdhën tradhëtitë, marrëveshjet nën tavolina, pazaret me kufij, me drejtësi, me të ardhmen tonë. Populli që priti dritë, u ndesh me errësirë.
Në vend të shtetit, u ndërtua një plaçkë kolektive. Ata që duhej të ndërtonin institucione, ndërtuan vila. Ata që premtonin drejtësi, sollën gjykata që dënojnë vetëm shqiptarë. Ata që flisnin për integrim, pranuan Zajednicën, ndanë veriun, falën tokën, e shitën idealin.
Kur politika bëhet mjerim kombëtar
25 vjet me radhë, populli ka parë vetëm zhvatje, hajnira, hipokrizi dhe mashtrime. Ata që s’kanë bërë asnjë ditë luftë, sot flasin për atdhe. Ata që pasurohen me tenderë, sot flasin për sakrificë. Por populli, ai që mbeti rrugëve, që mban mbi supe pleqtë dhe fëmijët, që e lë shtëpinë për një kafshatë – ai nuk flet më. Sepse është lodhur.
Shkollat nuk edukojnë më, vetëm prodhojnë diploma. Spitalet nuk shërojnë më, vetëm zbrazin xhepat. Rinia nuk ëndërron më – vetëm ikën. Dhe Kosova, dita ditës, po zbrazet nga dritat, nga shpresa, nga jeta.
Ikja – forma më e dhimbshme e protestës
Miliona shqiptarë janë larguar nga trojet e tyre, jo për luks, por për nevojë. Ata nuk kërkuan jetën më të mirë – ikën për të mbijetuar. Ata që mbeten, enden rrugëve të Evropës, ndërsa në Kosovë, prindërit plaken vetëm, shtëpitë rrënohen në heshtje, dhe vendi mbetet pa të ardhme.
Ky nuk është thjesht emigrim. Është shkëputje shpirtërore nga atdheu, një ndarje që ndodh çdo ditë, në heshtje, dhe pa kthim.
Zgjimi nuk vjen nga politikanët – por nga populli
Kjo gjendje nuk ndryshon me konferenca as me premtime. Ndryshimi fillon nga populli – nga vetëdija që kjo nuk është liri. Kjo nuk është drejtësi. Ky nuk është shtet. Dhe nëse nuk e themi sot me zë të lartë, nesër do të jetë vonë.
Është koha për një zgjim të madh kombëtar. Jo për t’u hakmarrë, por për t’u mbrojtur. Jo për të rrëzuar, por për të ndërtuar. Jo për të ikur, por për të qëndruar.
Thirrje për bashkim dhe ringritje
Popull shqiptar – kjo është koha jote. Koha për t’u bashkuar rreth atdheut, identitetit, dhe së ardhmes së fëmijëve tanë. Liria nuk është vetëm flamur e himn – është drejtësi, është barazi, është dinjitet.
Të mos lejojmë që gjaku i derdhur të mbulohet nga harresa. Të mos lejojmë që pavarësia të na shitet si favor. Atdheu nuk është mall për pazare. Ai është amanet që duhet ruajtur.
Dhe nëse s’ka kush e bën, atëherë populli vetë – me zemrën, me zërin dhe me votën e tij – duhet të ngrihet, të flasë, dhe të shpëtojë atë që i përket: vendin, lirinë dhe të ardhmen.