Shkruan Mevi Rafuna
Përkujtimi për martirët dhe herojtë nuk bahet vetëm duke u përkulur para varreve të tyre, e as nëpër konferenca shtypi.
Ata që e dhanë të shtrejtën jetë për atdhe për vazhdimin e jetës së gjenit tonë mbi këtë tokë, nuk mund të flasin.
Heshtja para komplekseve memoriale flet vetë dhe atë heshtje, arrijnë ta dëgjojnë vetëm ata që kanë shpirt.
Vetëm te ne ndahen herojtë, vetëm te ne shahen herojtë dhe vetëm te ne përfitohet mbi plagën e dikujt tjetër.
Shumica e dëshimtarëve që fati deshi t’iu mbijetojnë masakrave dhe gjenicidit serbë kanë vdekur dhe nuk e di nëse institucionet tona shtetërore kanë ba diçka që t’i ruajnë ato dëshmi.
Në këtë kohë kur siguria globale është në rrezik vetëm te ne deputetet dhe politikanët bëjnë show të tipit big brother.
Pa respekt për votuesin, pa ndërgjegje dhe pa vizion kjo është klasa politike në Dardani e vitit 2025!
Meja ndër masakrat më të tmerrshme në Europën e fundshekullit XX; nuk nderohet kur Dardania ime e dashur kërcënohet sot nga rreziqe të tjera, të indoktrinimit dhe trushpërlamjes nga grupe vehabiste.
Kjo nuk është Dardania për të cilën u flijuan mijëra e qindra njerëz!
Kjo nuk është Dardania për të cilën ndërgjegja njerëzore në Perëndim e bombardoi Beogradin!
Unë nuk dua të tingëlloj negative por nuk e shoh të luksit të shkruaj gjëra që në realitet nuk ekzistojnë.
Qëllimi i një poeti, shkrimtari apo filozofi është të arrijë ta prek ndërgjegjen njerëzore dhe ta zgjoj nga gjumi mendimin kritik të fshehur diku në skutat e errësirës.
Nuk nderohen ata për të cilët ju nuk keni nderim të vërtetë!
Mjaft më me fjalë, koha ecë, bota ndryshon, miqtë i humbasim dhe gjithçka harrohet si të mos ishte!
Veprat dhe vetëm veprat e prekshme e të mira që mund ta shkundin shoqërinë që mund t’i japin vizion përparimtar shtetin na duhen!
Për të gjithë ata që dhanë jetën për Dardaninë tonë, lavdi dhe nderim të përjetshëm!