Tuesday, April 29, 2025
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja -KUR TË VDESË NËNA

Rudina Muharremi Beja -KUR TË VDESË NËNA

Kur të vdesë nëna s’do të ndodhë asgjë,
asgjë nuk ndodhi kur vdiqën të gjitha nënat e tjera,
por zemra do të digjet nga malli
pesha e dhimbjes,
fjalët e pathëna do të rëndojnë si gurë,
ndërsa heshtja, do të klithë nëpër erë.

Kur të vdesë nëna,
errësira do të mbështjellë më shpesh qiellin
rrugët do të duken përherë e më të shkreta,
ndërsa ëndrrat e thyera dhe premtimet e pambajtura
do të shtrihen në tokë,
si lulet që thahen pa pranverë.

Në errësirën e netëve të vetmuara
shpirti im do të bjerë në heshtje,
si një gjethe vjeshte e tradhëtuar nga era
lotët e zemrës do t’i mbledhë
dhe me forcën e dikujt që e ka njohur humnerën,
nënën do të lyp, të kërkojë.

Por në errësirën më të thellë
do të lindë një fije e hollë shprese,
ndoshta do ta ndjej përkëdheljen e saj
që prek lëkurën time
e më pas të zhduket;
si një ëndërr e bukur në agim,
si një jehonë që humbet në pafundësi
tek emrin ma thërret nëpër eter,
ndërsa vazhdon udhën saj të gjatë e pa kthim.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT