Tuesday, April 29, 2025
BallinaVitrina e libritMimoza Çobo-PËRLOTUR DO KTHEHEM NJË DITË…

Mimoza Çobo-PËRLOTUR DO KTHEHEM NJË DITË…

Kur shpirtin m’a cjerr ëndrra që fishka,
e ndiej tek më zë gjirit pritë
dhe prej vendlindjes përlotur ika,
përlotur do kthehem aty një ditë.

Se tek ul kryet malluar jargavani,
ia thith me dhimbje lotin këllirë,
mbi sup var buzën e tharë vatani,
syrin që s’gjen paqe nëpër shëllirë.

Dhe shpirtin lash te nënë e xhanit,
pragut ku ndihen ende magjitë,
prehërit të saj rrinë zogjtë e malit,
aty të vegjlit lindin e rriten pa frikë.

Dhe hapin ndala ku heshtur pret varri,
aty ku tim etit nuk i tretet shpirti,
ndër klithma vajtimi prej të marri,
mbi qiparis lëngon si Krishti.

Se tek rrjedh loti me psherëtimë,
në qiri kthehet gjithë trupi im,
dhe pervëlohem dhe digjem flakë,
se edhe për gurët jam në merak.

Në shpirt s’gjen paqe ëndrra që fishka,
e ndiej tek më zë gjirit pritë
dhe prej vendlindjes përlotur ika,
përlotur do kthehem aty një ditë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT