Në bardhësinë e agimit
Zbriti dita me duvak të kuq,
U zgjuan dymbëdhjetë dishepujt e romancës biblike
Dëgjova zërin, tingullin më të bukur
Si melodi e Çajkovskit, të Verdit a të Bethovenit…
Në pentagramin më të shndritshëm
Kur hapi krahët e më mbështolli Afërdita,
Notova në të ëmblin diell shumëngjyrësh
Të perëndimit që të linte me gojëhapur
Si zjarri bubulak në oxhakun e odës së dikurshme
U vesha me dritën e hanës së plotë.
Valëve të bregut të detit që i shkëlqenin sytë,
Zgjodha fluturat që s’i zinte vendi në vend,
Darkova me kalë deti e perlën,
Që më lidhej për qafe duke më rinuar,
Toka gotën me dragua e zanë,
Sirena më sërviri tiramisunë,
U fala në të pafundmin qiell
Më zgjati dorën vetë Perëndia;
Piva kafe në yje
Sa dhe lulet e Ranës së Hedhur
I kapi xhelozia.
Kur dëgjova dihatjet e ëndrrës u ngrita
Ishte lodhur duke më pritë me derë hapur,
Hyra sërish në kolltukun e mallit brenda saj
Dhe pres sërish verën…