Saturday, August 23, 2025
BallinaVitrina e libritRudi Berisha-BUKË E FORTË, ZEMËR E THYER

Rudi Berisha-BUKË E FORTË, ZEMËR E THYER

Kur toka na kthehet si bukë e fortë,
E vështirë është me përtypë,
Atëherë ne kemi ecur në rrugët
Që na i thyejnë këmbët në gjunjë.

Pas Kësaj përplasjeje që na rrëmbeu,
Ne mundohemi të ecim sërish,
Por do të jetë shumë më e vështirë
T’u themi këmbëve tona:
“Çohu, se ke për t’u nisur.”

Nëpër mbulesën e tokës, çarë nga shiu,
Gjejmë djersët e lodhjes sonë,
Ëndrrat që u mbyllën me dry
E shpresat që u bënë pluhur e hi.

Fryma e stuhive na mbush mushkëritë,
Dhe toka, e heshtur, na vështron,
Na flet me gjuhën e dhembjes së vjetër:
“Ecni, edhe pse plagët ju rëndojnë.”

Ne mbledhim eshtrat e thyer të hapave,
I mbështjellim me fjalë shprese
Dhe me duart e gjakosura nga udhëtimi
Formojmë një urë të re mbi dhimbjen.

Toka na pret, sërish e ashpër si më parë,
Por nën koren e saj të ftohtë, duke na përqafuar,
Rrinë fshehur një rreze drite që prej vitesh munguar,
Për ata që guxojnë të ecin do të ketë rilindje dielli.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT