Kur hëna zbret si nuse mbi kreshta
Me dritë përplaseshin do re të leshta
Mallkimi jehonte grykave që n’lashtësi –
N’Lug t’Zanave, ku pikon gjak n’histori.
Na ndanë si degët nga trungu i një lisi
Por, gjuha s’u nda dot,ky zjarr i një fisi
Një Zot! Një Atdhe! Në pesë copa ndarë
Përgjakur n’rrënjë t’Arbërit si mote parë..
Bekimet e lutjet tona n’natë e kur agon
Dikush lutej n’kishë, në heshtje nderon
Dikush n’xhami, duke vënë ballin në dhe
Tjetri mbi Tomor – orakull n’maje nuk fle.
Dikush në kafene, sërish bashkë jemi
Por të gjithë… të gjithë një emër kemi!
Lutjet bëjmë n’copa,por s’na largojnë
Gjuha e gjaku në damar na bashkojnë.
Tradita, flamuri, toka ,këngë e diell
Na bëjnë shqipe t’një fisi nën qiell
Flijimi – vulë e dëshmi e përjetësisë
N’çdo gur e n’çdo lule, të Shqipërisë!
Zemra jonë –sa qielli, sa deti, sa mali
N’gjunjë biem, jo nga frika, po nga malli
Sepse Zoti është një – dhe ne, jemi një
Qëkur na u nda zemra,moteve n’largësi…
…
Na bashkon historia e pagjumë
Na bashkon loti,rrjedhur si lumë
Na bashkon flijimi –gjaku si gurrë
Na bashkon shqiponja në Flamur!