Kërkova për madhështinë e dashurisë në petale lulebore
Kërkova në magazina e në rafte të rënda marketesh
U ngjita në malet e thepisura të mbuluara prej dëbore
U zhyta në dallgët e fuqishme mes shkëmbinjve në brigje detesh
Kërkova në reklama televizive, postera e biblioteka
Kërkova në kodrina e lëndina të mbushura me gjelbërim
Ah, madhështinë e vërtetë të dashurisë askund s’e gjeta
As në netët e qeta me hënë apo diellin që lind në agim
Kisha dëgjuar që është më e bukur se dielli i majit dhe lulet e qershisë
Më e ëmbël se mani i pjekur dhe mjalti që mblidhet në hoje
Kërkova por se gjeta madhështinë e vërtetë të dashurisë
As në rrënjët e lisave apo këngët magjiplote të zogjve
Kërkova në tokën që etshëm pinte ujë pas thatësirës
Doja të freskohesha në burimin e mjaltuar të dashurisë
Nuk e gjeta as në diellin që përvëlonte mes shkretëtirês
As në ylberin që i buzëqeshte qiellit pas shtrëngatës e stuhisë
Kërkova në ngricën e dimrit që i përulej zjarrit të ndezur në vatra
Në agimlindjet që na përkëdhelnin në mëngjeset e shpresës
Nuk e gjeta as në perëndimet e mbrëmjeve të zjarrta
As në shijen e gjitha frutave apo bukurinë e luleshqerrës
Në zemrën e nënës është kështjella e dashurisë
E bukur, e paprekur, që nuk i nënshtrohet kohës
Burim i përhershëm i pashtershëm i dashamirësisë
E pakrahasueshme, mbi të gjitha mrekullitë e botës