U ktheva prapë në kurbet, si hije pa dritë,
Me shpirtin në valixhe, e zemrën në pritë.
Malli më mbeti në sy, si ëndërr e natës,
Në shpirt ëndërrova përqafimin e nënës.
Çdo lule e oborrit, aromë fëmijërie më fali,
E mbërtheva në gji, se doja t’shuaja mallin.
Dera e shtëpisë s’bënte më tingëllimë,
Në vete m’kishte fshehur time fëmijërinë.
Në dekada e mbërthyer, heshtja e kohës,
Ku dikur ishim ulur rreth e rrotull sofres.
Baba e nëna, stuhi e mburojë jona,
Aty kam kujtime edhe nga e ndjera motra.
Kurbeti mban trupin, por jo edhe mendjen,
Shpirti rri peng mes dy botëve, dy vendesh.
Çdo kthim më dhemb, e largimi më tremb —
Athua ku e kur gjen shpirti qetësinë e vet?