Sunday, June 1, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-MOS U STEP, POET

Zymer Mehani-MOS U STEP, POET

1.
Mos u step, poet, kur fjala jote
humbet në botën pa dashuri,
kur nuk të falin asnjë lëvdatë,
heshtin për vargun plot mençuri.

Ti shkruan për dhembjen që s’ka zë,
për lotin që rrjedh në heshtje natës,
Gjurmën që lë heroi zëlartë,
Zemrën që s’flet, por digjet prapë.

Ti fjalën qep si plagë mbi gur,
Me gjak e shpirt në çdo strofë vure,
Por bota shpesh, si i vrazhdë mur,
S’të jep as hije mirënjohësie.

Ti shkruan për bijtë që ranë në luftë,
Për nënat që varret u përkëdhelin,
Për tokën tonë që me gjak u skuq,
Për emrat që vetëm librat i çelin.

Ti nuk ke fron, as kurorë lavdie,
S’të vijnë nga pas, si mbretit, ushtri,
Por vargjet tua nëpër erë shtrihen
Si zë i Zotit me të Tijën fuqi.

Dhe kur të qeshin, mos humbis shpresë,
As kur të mohojnë, ti mos u thyej,
Se fjala jote ka peshë dhe besë
Që s’pritet, s’shitet, s’kalon në hije.

Mos u step, poet, kur vjen furtuna,
Se ti je zëri i asaj që s’thuhet.
Në ty pushon dhe loti, dhe rrëfimi,
E me ty dhe koha vetë përkulet.
2.
Poeti shkruan për botën që s’e njeh,
për dhembjen që tjerët si ai s’e ndiejnë,
për dritën që rri përtej reve në qiell,
për njeriun që vuan e nuk rrëfen.

Ai fjalët i thur si vargonj të artë,
i qep plagët me rima e heshtje,
përherë pranë atyre që bien, vërtet
por rrallë kush i thotë: Faleminderit, poet.

Ai shkruan për trimat e harruar,
për nënat që qajnë err e terr,
për tokën që e do me zemër,
për gjakun që mbeti pa emër.

S’ka kurorë mbi atë ballë të tij,
as statujë, as vend në piedestal,
por zëri i tij gjëmon nëpër shekuj
më shumë se një mbret a gjeneral.

Shkruan edhe kur duart i dridhen,
edhe kur sytë i verbohen nga lotët,
se e di: një ditë fjalët e tij
do bëhen liri për të gjithë botën.

Dhe kur injorojnë e përqeshin,
kur nuk i lënë as vend në strofë,
ai veç nën zë pëshpërit:
Nuk shkruaj për lavdi, por për Zot.

Mos u step, poet, nga heshtjet,
as nga shpina që ta kthen turma,
se fjala jote përjetësisht e kujton
atë që historia përgjithmonë e harron.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT