Sunday, June 1, 2025
BallinaVitrina e libritRiza Braholli Mborja-Syrit tim si t’i besoj!

Riza Braholli Mborja-Syrit tim si t’i besoj!

Nëpër muzgun e dremitur
ajër edhe purpur situr
s’pipëlin as zë, as erë…
zemër gushti, mbrëmjeverë
në një paqe për të mitur
ma ndjell syrin të më flerë.

Por një heshtje e pëshpëritur
zgjon sokakun krejt papritur;
shthuret muzgu fije-fije
zgjohet drita nëpër hije
më shkon pranë, fare ngjitur
më jep frikë arratie…

Tak a tak takat me majë
zemër guri s’ka t’i mbajë
gur më gur thua më thua
sa kam frikë dhe ta dua
vetëm syri rreh ta hajë
e ta fsheh, ja, mu në mua.

Iku thashë e si s’e pashë,
kur e mitur e kur vashë!?
Kur qe syth, po kur burbuqe
kur si gonxhe buz’ e kuqe?
dhe e kisha dhe e lashë
tashti bërë jam me huqe.

Lutej dje: “Më kap një flutur,”
sot çmend udhën belkëputur.
Shih si shkel sikur bën be:
nuk do t’ulem e ta ngre
(dhe nuk ka aspak të ngutur)
le të bjerë ç’të dojë përdhe

Ç’sy më tha që ish e mitur…?
Nëpër sy më qenkej rritur!
Si të dyja qenka bashkë;
dhe e njomë dhe e lashtë,
me një gji të përpëlitur
bën fustanit t’i dalë jashtë!

U bu bu fustani i ngritur
zjarre zgjoi mbi hi të fikur.
O serbes që shkel mbi taka
me ato hedhje të paka
si mënjollë e si e rritur
po më digjka ç’po me vraka.

Edhe gjunj’t e ca më lart
të përplasur, të pafaj
nëpër hije, nëpër dritë
m’i marruan mushkëritë
mbushën ajrin me nakar
syri syrin do të qitë.

Ah ky bisk, lastar i njomë,
më firoi pa firomë.
Kot sa flas e kot që rroj
syrit tim si t’i besoj
sikur është e fle në komë;
t’ia kall gishtat, ta qorroj.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT