Mos u çudit
nëse më sheh të buzëqeshur
edhe nëse dhimbjeve shpesh u këndoj.
Diçka e brishtë brenda meje ka mbetur
dhe unë di ta përjetoj
.
Mos u çudit
nëse më sheh ende të lumtur,
di të hesht, të gëzoj, unë di të ulërij!
Di ta përjetoj një çast të trishtë aq bukur,
t’i prek e shijoj çdo ndjesi.
Oh, mos u çudit, unë nuk dorëzohem dot!
Të luftoj për një botë më të dashur e më të mirë.
(Dashuria i bën njerëzit luftëtarë e të fortë)
të vdesin duke buzëqeshur e të lirë…