Pashë statujën time të lodhjes, një ditë,
(Statujën që m’u desh një jetë për ta gdhendur)
Në qoshe të rrugës,
Duke shkundur pluhurin e harresës.
Po unë çapitem ende me hapin e ngadaltë,
Nën retë me reflekse shiu,
Edhe pse asfalti më përvëlon nën këmbë,
Aty ku hijet humbin e vdesin,
E qielli, për mëshirë,
Me një fjongo gri,
Lidh ballin e dhimbjeve të mia.
Zbehet jehona e të qeshurave,
Si pëshpëritje që tretet në erë,
E lodhur, e rraskapitur,
Nga ninulla e hapave të mia,
E brengosur, e mërzitur,
Nga kolla e bronkitit të fjalëve që më mbyt.
Hapat e rëndë ngatërrojnë udhët e mbrëmjes,
Çdo njeri prej tyre më pyet diçka,
Për metamorfozën e horizonteve,
Që turbullohen në sfond,
Për historinë shurdh – memece,
Që as flet më e as dëgjon.
Mirazhe figurash me emra të fshehur,
Si hije fantazmash varrmihëse,
Ma nxijnë muzgun më shumë,
Dielli merr vrapin i trembur tatëpjetë,
E fshihet në oqeanin e mistereve,
Nata – gëlltit dhe shpresën e humbur.
Edhe pse balta e trishtimit nuk mundi,
Nuk mundi t’i ndyej e t’i lidhi këpucët e mia,
Koha prapë më ikën e fshihet,
Më bën dredha e rrëshqet,
Si rëra e imët e bregut nëpër gishta.
Momentet shpërndahen e fshihen,
Në kaosin modern të jetës plot zhurmë,
Që lë buzë rrugës vetëm, në agoni,
Statujën time të lodhjes,
Statujën time të gjorë,
Kjo botë që nxiton pa ditur se ku…
Dhe Unë pse i lodhur,
Prapë eci në rrugën e pasigurt,
Duke mbajtur peshën e rëndë,
Të ëndrrave të paplotësuara, apo të vdekura,
Duke mbajtur ende hapin në rezonancë,
Duke ndjekur vezullimin e dritës së shpresës,
Që më pëshpërit ëmbël:
Vazhdo, mik, vazhdo!
Bota një ditë do të thërrasi.
Dhe marr statujën time me dhimbje,
(Statujën që m’u desh një jetë për ta gdhendur)
Me duart eterike që më dridhen,
Statujën e lodhjes, të nxirë prej harresës,
Dhe Globit ja vë kalëruar mbi shpinë,
Globi harron:
Pa statujën time të lodhjes,
Diku do të mbesi,
Do të humbi shpejtësinë,
Ashtu si statuja e heshtur,
E harruar nga bota, po humbet lavdinë.