Friday, August 1, 2025
BallinaVitrina e libritMeri Bo-Bluja e amshuar!

Meri Bo-Bluja e amshuar!

Po vij!
Duke u hedhur
mbi shkrepat e orëve,
ditëve e muajve,
po vij!

Vij të të takoj në skaj të kohës,
atje ku, më pas, rrëzohesh në hiç!

Vij duke lëruar valët e shkumëzuara të detit
që fshehin rrënojat brenda tyre.

Vij sepse ëndërroj brigje me erë,
me dallgë kreshpëruese e cuname,
s’dua limane!

Po vij duke kalëruar dhe blunë e rreme të qiellit,
qëndisur rrejshëm nga re të bardha,
si fshikëza që brenda vetes
fshehin krimba mëndafshi.

Po vij
se i dua iluzionet e kaltra,
ëndërrat kalimtare që vdesin në agim!
Jam një flutur Maji
që dua të jetoj çastin tim!

Vij t’i them Po flluskës së sapunit
dhe brenda saj të qesh e të qaj
në këtë kohë të pakohë,
dhuratë të papritur,
dhuratë blu në amshim!

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT