Sunday, June 8, 2025
BallinaVitrina e libritANGELA KOSTA - RRËFIME TË HESHTURA

ANGELA KOSTA – RRËFIME TË HESHTURA

RRËFIME TË HESHTURA

Rrëfime të heshtura gjëmimesh
në psalme të mallkuara rrethinash
të kryqëzuara në vetë flijimin e botës
ku shpirti çirret dhe kërcen baladën e zullumit
pa ndalur hapin e ziliqarëve të ndëshkimit.

Nënat
me linfën e tyre,
pemën e jetës
kanë harruar të mëkojnë,
gjinjtë iu janë tharë
në tokën shterpë.

Muzikantët
nuk luajnë më në piano, nuk kompozojnë
himne të reja moderne paqeje…

Kuislingët e sotshëm
me vetëtima raketash
në muret e qiellit të nëmur
vepra palaçosh zhgarravisin,
teksa me përbuzje
tallen me sfondin e racave të gjunjëzuara
me brinjë të thyer
në koleksionet e lashta historike.
Palcë më nuk u ka mbetur
veç plazmës pa qeliza,
gojës pa dhëmbë
të copëtuara nga kafshata e mjerimit.
Me etje
dejeve të universit
gjakun gëlltisin
nën tehun barbar,
të uritur mizorinë përtypin.

Njerëzimin
vetë mëshira e fatit ogurzi e ka braktisur
që heshturazi
të rrëfejë botën hipokrite të mashtrimit.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT