Të vdekur me frymë kemi ardhur në jetë
me sy që s’shikojmë,
me gojë që dot s’flet
me britma kraharorësh që mbyten
në dallgët e heshtjes,
me veshët që dëgjojnë marrëzitë
e gënjeshtrës.
Kemi ardhur pa jetë në këtë botë,
që nuk jetojmë ,
por veç frymojmë.
Ku edhe ajri jepet me pikatore
e diellin e mbulojnë
ca re të zeza mizore.
Orët e ditës i mbyt errësira,
lëvdohet E keqja,
përbuzet E mira.
Jemi manekinë që na tërheqin zvarrë
ca duar të pista ,
mbi buzë vizatuar buzëqeshjen fals
me fjalë na veshin e na zhveshin,
pastaj hipokrizisht na ftojnë në vals.
Në rresht ndjekim ritmin amorf
të marshit funebër,
Si Homo Sapiens nga një epokë e vjetër.
Të vdekur jemi lindur
qysh kur erdhëm në jetë,
Qëkur tokës iu larguan engjëjt
dhe djajtë pushtuan këtë planet.