(Ukshin Hotit, këtij ideologu të madh të lirisë)
Ti vetë me zotat hyre në grindje,
Me zjarrin ndezur tej thellë në gji,
Se zjarri thoshe është vdekje, është lindje,
Si Herakliti, mbase e di!
Ç’ pati më shumë, the Prometeu,
The dhe Ante do të bëhem vetë,
Të dy bashkohen kur thërret atdheu,
Si dy binjakë që prekin retë.
Dhe këmbadoras nē zinxhirë,
Sa në një shkëmb, sa në shkëmbin tjetër,
Në muzg të vonë, a në të gdhirë,
Kurrë pa pushuar dhembje e vjetër.
Kështu t’ pa atdheu një jetë të tërë,
Herë Promete e herë Ante,
Kryeneç toka Ty të kishte bërë,
Por dhe liria t’ kërkonte pre.
Digjte mëlçia e bërë krejt shkrumb,
Sa bije n’ tokë, prapë shkoje n’ re,
Me zjarr e hekur, barot e plumb,
N’ shkëmb Promete, në tokë Ante.
Një ditë në Had të çuan matanë,
Gjak nga bozhuret t’ pikonte, burrë,
Por a di zotat pastaj se ç’ thanë:
Ç’ bëmë, thanë të gjorët: ky nuk vdes kurrë!!!