Monday, June 9, 2025
BallinaVitrina e libritMINA T. QIRICI-Çorapet e nënë Margos Tregim

MINA T. QIRICI-Çorapet e nënë Margos Tregim

Fytyrën e rrudhur e mbështeti në xhamat e thyer të dritares së vjetër.
Trarët e çatisë rënkonin nga pesha e dëborës.
Binte papushim.
Me flokë të mëdhenj!
Të bardhë!
Në heshtje!
Ndjellakeqe!

– Ku shkon këtë natë dhjetori me dëborë, o bir?
Po vjen në shtëpi?
Te nënokja jote?
Ka njëqind vjet që të pret!
E ka zhuritur malli!
I janë tharë lotët!
Përrua behari, zhuritur nga etja!
Sa ditë, muaj e vite?
Eh, more Miti!
Të thashë mos ma merje djalin në Amerikë!
T’u shtriva ndër këmbë!
T’u përgjerova!
T’u luta si Shën Mëria!

– Prit t’i mbaroj çorapet. Djali është zbathur…
M’i flake shtizat në fund të oborrit.
Ma shkëpute nga gjiri!
Dymbëdhjetë vjeç djalë!
E hodhe në krahë si hejbe për rrugë.
I vogëlthi klithte mes lotëve:
– Nënë!
M’i ruaj çorapet kur të kthehem nga Amerika!
Do të kthehem për ty, nëna ime!

– U shofsh moj Amerikë!
Të rëntë flaka, moj Amerikë!
U bëfsh shkrumb e hi, moj Amerikë!
Na more burrat!
Na more fëmijët!
Na more dashuritë!
Na more jetët!
Çfarë ka mbetur më për të na marrë?

Mes flururash të bardha, si valle të çmendura, djali i vogël ecte mbi dëborë.
Gishtërinjtë lakuriq të këmbëve, mavijosur si buzë të meitit.
– Mëmë, kam ftohtë!
– Djali pa çorape?
Djali zbathur?
T’u thafshin duart, Margo!

Nxori nga sepeti lëmshin me lesh deleje dhe lidhi shtizat.
– Nuk të lë nëna zbathur, o bir, jo!

Sa herë më thoshe:
– Nënë, më bëj çorape të reja! Do të shkoj në shkollë.
Nëna merrte shtizat. Punonte deri në të gdhirë, ndriçuar me dritën e kandilit dhe flakën e zjarrit në oxhak.
Në mëngjes, çorapet të prisnin te koka e dyshekut, mbushur me fletë misri.
– Nëna ime e mirë!
– Djali im i bukur!
Të mbuloja me të puthura!

Po tani, kë të puthë nënëzeza?
Amerikën?
Dëborën që bie e bie papushim?
Këmbët e zbathura?

Do t’i mbaj nën sqetull, të shkrihen gishtërinjtë e kallkanosur!
Do t’i mbaj në gjoks, t’i ngrohë zemra e nënës!
Do t’i mbaj në buzë, të puth aromën tënde!

Nëna nuk ecte nëpër dëborë.
Nëna vraponte!
Nëna fluturonte!
Me krahë engjëllnaje!
Të arrinte të birin!
T’i vishte çorapet!
Ta përqafonte!
T’i puthte ballin!
T’i puthte sytë!
Ta shtrëngonte në krahë!

Flokët e dëborës ia mbuluan trupin me fustan të bardhë nusërie.
Bredhat dhe pishat e mbështollën në gjirin e tyre.
U bë bardhësi brenda pyllit të bardhë!

Në mëngjes herët, prifti i fshatit e gjeti rojen të ngurosur dhe të pazë në derën e kishës.
– Ç’ka ngjarë, o njeri i mirë?
Roja zgjati dorën nga varrezat.
Ishin ngritur nga varri Miti dhe Stefani?
Ati dhe biri?

Hirin e tyre e solli Çale Skorovoti, kur u kthye nga Amerika.
Mbyllur në qelqe të zeza!
Më të zeza se korbat!
Më të zeza se vdekja e zezë!
Nxirrnin qymyrguri nga nëntoka e Amerikës…
I hëngri miniera!
Për bukën e gojës!

– Digjini trupat tanë. Hirin varroseni në kishën e Shën Thanasit.
Aty jam pagëzuar!
Aty jam martuar!
Aty lindi Stefani.
Të prehemi në baltën tonë!

Amaneti i fundit i kurbetlliut!

Nënës së mjerë nuk i thanë se brenda qelqit ishin të dy:
Ati dhe biri!
Ia fshehën të vërtetën!
Ia kursyen dhimbjen!

Gërmuan me duar dëborën.
Dhe, shtangën!
Poshtë saj flinte nënë Margo!
Buzën në të qeshur!
Cilit i qeshte nënëzeza?!

Në duar shtrëngonte çorapet e të birit!
Nuk i veshi kurrë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT