Sunday, June 15, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-PRISHTINA – PRIMA JUSTINA (Poemë epiko-lirike)

Zymer Mehani-PRISHTINA – PRIMA JUSTINA (Poemë epiko-lirike)


PRISHTINA – PRIMA JUSTINA
(Poemë epiko-lirike)

Në djep të lashtë, ku dielli lind
Mbi kodra t’arta kudo që shkëlqen,
Në zemër t’Dardanisë së shenjtë
Një emër ngjallet, një emër s’flen:

PRISHTINA – PRIMA JUSTINA,
Shkëlqim i lashtësisë, e re çdo ditë,
Nën hijen e perandorit të ndritur,
Justinianit, dritës që ndrin historinë.

Në gjak të fisit ilir rrjedh nderi,
Në gur të lashtë e rrënjë të lisit,
Atdheu flet me zë të perandorit
Që lindi këtu – n’Dardani të Ilirikut.

Jo thjesht një fjalë mbi hartë e ngjyrë,
Po emër hyjnor në zemër të botës,
Ku urat ndërtohen, qytetet ngrihen,
Dhe ligji merr dritën prej vetë kohës.

Prima Justina, emër perandorësh,
Kur Justiniani me dorën e tij
E bekoi këtë truall të lashtë të Ilirisë
Si themel të ligjit, si vend të përjetësisë.

Këtu nuk hesht historia as natën,
Këtu për të flasin shkrepa e gurë,
Për lindjen e Zotit të Drejtësisë,
Në një vatër ku fjala s’vdes kurrë.

Me kupola, me tempuj, me kala e kulla,
Me urtësinë që shekujt sollën vrik,
Me frymën e shpirtit të ndritur ilir
Dardania ngre zërin si zonjë e dëlirë.

Aty ku fillon rruga për të largtën Romë,
Aty ku shenjtorët hodhën themelet,
Stoliset emri me lavdi të shenjtë:
PRISHTINA – e parë në drejtësi, në zemër, në jetë.

Ti, qytet i lindur nga urdhri hyjnor,
Mbretëri e ligjit, e shpirtit, e gjakut,
Je pasqyrë e Sakramës Dardane,
Ku vetë perandori gdhendi hapin e parë.
Në ty s’ka pluhur, po freski e rilindur,
Në ty s’ka harresë, po kujtim i ndritur,
Në ty rron Iliria me gjuhë të antikës,
Në ty ngrihet e ardhmja, me themele të dritës.

Prishtinë, o bijë e Justinianit të Parë,
Mos e lësho kurrë dorën e lashtësisë,
Në gjakun tënd rreh zemra e një Perandorie,
Në emrin tënd – mbin drejtësia.

Ti je jo veç qytet, po kujtesë e përjetshme,
Kryeqendër e shpirtit që lind dritën e re,
Në gjuhë shqipe e në fjalë të shenjtë,
Ngadhënjen Prima Justina – në ty përherë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT