Erëmira ime, trëndelinë mali
More fluturimin atje mbi kodrinë
Kur si shkëmb në gji të të rëndojë malli
Ngrihu si Ante dhe çmallu me shtëpinë.
Sykaltra ime, sa deti e sa qielli
Duararta, e palodhura, gjeraqinë
Dlirësi e paanë, lule tulipani
Mungesa jote ma përvëlon gjinë.
I nxehtë erdhi Qershori i sivjetshëm
I avullt e i nxehtë deri në përvëlim!
Ikja jote nënë, më akullnoi shpirtin
Dhe disku i zjarrtë më bëhet gjëmim.
Zgjohu erëmira ime! Mjaft fjete!
U bë java që fle nga lindja në perëndim.
Të përgjërohem, zgjohu! Kam nevojë për përqafimin tënd!
Zgjohu! Për një të vetëm përqafim!