Kjo bukuri magjepse në vendlindje
Si rrëpirë shiu me freskon
Damarëve s’u lë asnjë dhimbje
Plagët e shpirtit m’i shëron.
Qielli më duket me sfond zemre
Toka me plotë lumenj Parajse
Lule më duken gjembat e një ferre
Dejve më rrah gjaku i kësaj rrashte.
Vetëm aty sytë e mi qeshin
Këmbët e leqendisura aty pushojnë
Krihët këmishën e pranverës veshin
Kujtimet ëndrrave të fëmijërisë notojnë.
Këtu unë jam Odise në Itakë
Harroj tumorët e fytit sakaç
Në gji më merr toka ime flakë
Gacat e prushit m’ I mbulon me saç.
Këtu s’kam asnjë grimë mërzi
Jam atlet i shtigjeve me baltë
Çdo guri këtu më jep dashuri
Çdo cicërimë bilbili me duket mjaltë.