Tuesday, June 17, 2025
BallinaSportKlubet kosovare do t’i mësojnë sot emrat e kundërshtarëve të garave evropiane

Klubet kosovare do t’i mësojnë sot emrat e kundërshtarëve të garave evropiane

Sot është një ditë e veçantë për klubet kosovare të futbollit.

Në fakt, tri prej katër ekipeve kosovare që do të jenë pjesëmarrëse në garat evropiane për edicionin 2025/26 do t’i njohin sot emrat e kundërshtarëve.

Drita, Malisheva dhe Prishtina do të njihen me kundërshtarët në shortin që do të hidhet sot në selinë e UEFA-s, shkruan “Gazeta Express”.

Drita, si kampione, do të luajë në Ligën e Kampionëve, ndërsa do ta njohë kundërshtarin në shortin që do të nisë prej orës 14:00.

Në opsion për t’i rënë kundërshtar ekipit Bardhekaltër nga Gjilani në raundin e parë kualifikues të Championsit janë: Vikingur nga Ishujt Faros, Differdange nga Luksemburgu, Inter Club d‘Escaldes nga Andorra dhe Shelbourne nga Irlanda ose Egnatia nga Shqipëria.

Pra, në opsion është edhe një përballje shqiptare në këtë rast në Champions.

UEFA njoftoi për ndarje të ekipeve të raundit të parë kualifikuese në tri mini-grupe, ndërsa Drita në short do të jetë skuadër bartëse.

Kundërshtarin sot do ta mësojë edhe ekipi më i madh në vend, FC Prishtina.

Bardhekaltrit kryeqytetas e fituan Kupën e Kosovës dhe me këtë rast e siguruan pjesëmarrjen në garat evropiane, respektivisht në Ligën e Evropës.

Ata do të luajnë në rrethin e parë kualifikues të kësaj gare, ndërsa kundërshtarë eventuale mund t’i kenë ekipet si: Sheriff Tiraspol, NK Celje, Spartak Trnava dhe më i vështiri i mundshëm, Shakhtar Donetsk.

Shorti i Ligës së Evropës për Prishtinën do të nisë prej orës 15:00.

Ndërkohë, Malisheva, e cila do të marrë pjesë në Evropë për herë të dytë radhazi pasi përfundoi e treta në Superligë, do të luajë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa në opsion i ka kundërshtarët si Vikingur Reykjavik i Islandës, Florianan nga Malta, St Joseph’s i Gjibraltarit dhe Partizanin e Tiranës.

Pra, edhe në Ligën e Konferencës mund ta kemi një përballje eventuale shqiptare.

Shorti i kësaj gare do të hidhet sot prej orës 16:00. /Gazeta Express

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT