Thursday, June 19, 2025
BallinaVitrina e libritElmije Ajazi-Kur nata takon mëngjesin

Elmije Ajazi-Kur nata takon mëngjesin

Takohemi në një udhë pa emër
pa fjalë, pa zë,
ti nga drita — unë nga hija,
ose ndoshta… ndryshe.

Mes nesh qëndron një pemë e zhveshur,
e plakur nga koha,
me rrënjë në mall e degë në pritje.
Ajo na njeh më mirë se ne vetë:
ç’kemi qenë,
ç’jemi bërë,
ç’kurrë s’do të jemi.

Unë jam nata që të ruan,
ti je mëngjesi që më fal.
Në çdo hap që na afron,
bota ndalet për një frymë,
si të merrte bekim prej nesh.

S’ka rrugë më përpara,
veç këtij çasti,
të ftohtë, të pastër, të shenjtë,
ku ti dhe unë
takojmë shpirtin
që lashë te ti
dhe mora prej teje.

O mendje… bashkohu me timen.

Mos ik më rrugëve që të ndajnë,
prit…
bashkohu me mua, e le të mos jemi më dy.
Le të heshtin fjalët që s’na prekin,
le të shuhet zhurma e atyre që s’na ndiejnë.

Ti sill dritën e arsyes,
unë sjell zjarrin e shpirtit.
Ti je era që pastron,
unë jam zjarri që ngroh.
Kur ti e unë bashkohemi,
nuk lind perfeksioni ,
lind e vërteta,
ajo e rrallë që nuk thyhet në dallgë.

Se dy mendje që s’gënjejnë,
bëhen një shpirti i vetëm,
ku fjala nuk ka më nevojë të thuhet,
se çdo ndjesi jehon në të dy.

Dhe atëherë…
nuk ka trup që mungon,
as kohë që rëndon,
as botë që guxon të na ndajë.

Bëhu mendja ime,
që nuk mat, por ndjen.
Bëhu ndjenja ime,
që nuk digjet, por ndriçon.
Se kur bashkohemi ne ,
gjithësia ndalon frymën.

Unë Jam Aty Ku Frika Nuk Jeton
(Poezi për një shpirt të lirë)

Unë jam aty, ku nata s’ka frikë,
Ku yjet n’ballë më puthin pa hile,
Ku zemra s’ka mure, as dyer me çelës,
Dhe shpirti i lirë vjen si stuhi në qiell.

Jam hapi që s’druhet me rrëzime,
Jam zjarri që n’damarë djeg kujtime,
Jam fjala që s’trembet nga heshtja,
Jam drita që lind nga plagët e vjetra.

Unë s’jam lule që lulëzon në kornizë,
Jam stuhia që thyen çdo krizë.
Jam ajo që ec pa kthyer kokën,
Se frika? E lashë prapa, kur hapa portën.

Ndaj kur më kërkon , më gjen në shpërthim,
Aty ku guximi frymon si flakë në agim.
Ku loti s’ka peshë, veç lindet si shëllirë,
Unë jam aty , ku jeton vetëm dashni e lirë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT