Thursday, June 19, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-E BUKURA BESIANË

Zymer Mehani-E BUKURA BESIANË

Në zemër të Llapit, ku bilbilat këndojnë,
ku flladi i fushës me mall të pushton,
E hijshme qëndron Besiana e vjetër,
me emrin që rrjedh si këngë nëpër letër.

Ti, o Podujevë – me emrin që ndërron,
por shpirtin e lashtë askush s’ta harron.
Në çdo gur të rrugës, një histori flet,
një trim që nuk kthehet, një nënë që e pret.

Në mëngjeset e mjegullta, qetësia rri pezull,
si gjaku i dëshmorëve mbi tokën e djegur.
Te Llapi i kthjellët, me zëra atdhetarë,
kumbojnë betimet në heshtje të paparë.

O moj Besianë, me ballin gjithnjë lart,
me çika si yje, me djem zemërzjarrtë.
Ti mban në gjoks plagët që nuk janë harruar,
por ecën me hijeshi, si një nënë e forcuar.

Aty ku këndojnë zogjtë mbi varret me rend,
ku emrat e dëshmorëve tashmë janë të shenjtë,
aty ku flamuri prore me gjak është larë,
e dashuria për tokën është ar e thesar.

Në çdo sokak, një burrë me plis të bekuar,
me urtësinë e maleve që kurrë s’janë pushtuar.
Në çdo rrugë, një grua me sy të malluar,
që e pret me shpresë burrin e mërguar.

Podujevë, moj e bukura e Llapit krenar,
me zemër të ndarë e me shpirt të vrarë.
Ti je djepi i lotit që bëhet shkëmb e gur,
ti je shqipja dykrenore n’kuq e zi flamur.

Dhe kur të largohem, do të thërras me mall:
“O Besianë, zemra ime, dashuri më ngjall!”
Se s’ka si ti tjetër-dritë në këtë vend të shtrenjtë,
as tokë më fisnike, as gjak më të shenjtë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT