Mbështetur supeve të vetmisë,
përqafuar me pritjen.
Malli gërryen shpirtin
si lumi që ha shtratin e vet.
Fryma i merret pritjes,
buzëqeshja varet në rrudhën e fundit.
Mërgim —
qofsh mallkuar!
Sytë e vdekjes mbeten të hapur,
nuk morën lamtumirën e bijve.
Tokë e huaj çahet nën këmbë,
në vend të një grushti dhe,
hidhen trëndafila në ajër.
Stinët plaken nëpër udhë të harruara,
koha dergjet me shpresën ndër duar.