Saturday, August 23, 2025
BallinaVitrina e libritKastriot Malo-Kudo je ti.

Kastriot Malo-Kudo je ti.

Ti vajzë syshkruar e rrugës sime,
Ku je fshehur tani që s’të gjej kund,
Në argjendin e kumbullave të bëra dyllë,
Apo në të kuqin e manit që flladi shkund.

Mos je në foletë e lisave në korije,
Ku zogjtë pa krahë rrëzohen prej saj,
I hapin sytë prej errësirës disa ditore
Të marrin me vete kaltërsive më pastaj.

Apo je mes lulëkuqeve në grurë,
Poshtë lidhave të vena në këmbë,
Aty ku bujku tremb zogjtë mbi kallinj,
Apo pi ujë të ftohtë nga bycela nën tendë.

Mbrëmjeve del e sheh perendimet,
Apo xixëllonjat të kanë vënë në mes,
Ka një ninullë të rrallë gjallesash nata,
Një asambël në unison deri në mëngjes.

Apo ke dalë lendinave me erë bari,
Qiellit arushen e madhe gjen mes yjesh,
Trokun e një mushke, zilen me fleta zënë,
Dhe pastaj si gazelë zhdukesh mes pyjesh.

Ti vajzë syshkruar e rrugës sime,
Do vi të gjej t’i harrojmë ca muaj hallet,
Shkojmë të fresohemi tek ngjirri në lumë,
Ikim larg nga rrëmuja, ikim marrim malet.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT