Pas përkthimit dhe botimit të veprave të saj në harkun e këtij viti në Belgjikë, Holandë dhe Portugali, Irma Kurti botohet edhe në Algjeri. Libri titullohet “سماء بدون نجوم”(A sky without stars) – “Një qiell pa yje” dhe mban logon e shtëpisë botuese Tohfa Publishing House. Përmbledhja poetike është përkthyer në gjuhën arabe nga Dr. Abdelkadir Kechida. Imazhi i kopertinës është i fotografit italian Biagio Fortini. Në komunikatën për shtyp të botuesit shkruhet: “Shtëpia Botuese Tohfa në Algjeri publikon librin e ri të titulluar “Një qiell pa yje” nën përkthimin mjeshtëror të Dr. Abdelkadir Kecihda, – të shkruar nga poetja italo-shqiptare Irma Kurti, e cilësuar si një nga zërat poetikë bashkëkohorë më interesantë në Evropë. Kjo përmbledhje poetike trajton temat e ekzistencës, dashurisë, izolimit dhe dhimbjes së humbjes, duke ruajtur njëkohësisht simbolikën karakteristike dhe elegancën ritmike të krijimtarisë së Irma Kurtit. Përkthimi arrin një ekuilibër delikat midis besnikërisë ndaj tekstit origjinal dhe talentit krijues të artit letrar arab. Vetë përkthyesi e përshkruan veprën si një ‘urë kulturore midis botës arabe dhe asaj evropiane’”.
Shkrimtari, dramaturgu dhe kritiku letrar Hamid Oqabi lidhur me krijimtarinë e poetes shqiptare shkruan: “Irma Kurti, një poete dhe shkrimtare shqiptare, e natyralizuar italiane, shkruan në tri gjuhë (shqip, italisht dhe anglisht). Ajo është një nga zërat fëmërorë më të rëndësishëm në diasporë. Ka botuar dhjetëra libra me poezi dhe prozë, dhe veprat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë, duke reflektuar një prani të gjerë të saj në skenën letrare evropiane. Poezia e saj përqendrohet në tema të ngarkuara emocionalisht dhe thellësisht njerëzore, veçanërisht: dashuria, humbja, plakja, mungesa, vetmia dhe dëshira për ngrohtësi. Megjithatë, ajo nuk i trajton këto tema në mënyrë filozofike apo abstrakte; përkundrazi, ato shfaqen përmes momenteve të vogla, të përditshme që u japin poezive sinqeritet dhe rrjedhshmëri. Një fjalë, një vështrim, një lule, një foto ose një palë pantofla bëhen gjurmë poetike të gjendjeve të brendshme emocionale. Gjuha e saj është e thjeshtë; ajo mbështetet në qartësi dhe transparencë emocionale, gjë që i jep poezisë një ton të butë dhe intim. Ajo që e dallon veprën e Irma Kurtit është ndershmëria emocionale dhe identiteti i saj shumështresor, pasi krijimet e saj lindin nga kryqëzimi i personales dhe kulturës, duke ofruar një zë poetik që i kapërcen kufijtë pa pretendime apo ekzagjerime.”
IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ajo është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar mbi 100 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 21 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi, Portugali dhe Algjeri.