Friday, July 11, 2025
BallinaVitrina e libritBukuria e artit të fotografit Biagio Fortini, nga Vesna Andrejevic

Bukuria e artit të fotografit Biagio Fortini, nga Vesna Andrejevic

“Bukuria është në sytë e atij që shikon”. Dhe është mëse e vërtetë. Kjo frazë e bukur dhe e lashtë, që i atribuohet Platonit, i cili në atë kohë reflektoi mbi një kuptim më të thellë të bukurisë, e konceptuar si një mundësi dhe një mjet për qenien njerëzore për të arritur maksimumin e Qenies ose maksimumin e vlerës morale, të përfaqësuar nga ideja e së Mirës, ​​mund të përdoret sot për çdo gjë, që nga bota e natyrës deri te ajo e artit. Megjithatë, thelbi është gjithmonë i njëjtë: nuancat e bukurisë i japin ngjyrë edhe ngrohtësi jetës sonë. Ngjyrat kalojnë nga sytë dhe ngrohin menjëherë shpirtin e zemrën. Ky është pikërisht efekti që ushtron tek ne një fotografi e bukur. Dhe është gjithashtu kjo përshtypja që mjeshtëria e fotografit italian Biagio Fortini krijon tek ne.
Një udhëtar i apasionuar në vende të ndryshme të botës, përmes fotografive të tij, Fortini na çon në botën e poezisë dhe prozës me imazhet e tij, të cilat me vite përvoje dhe përkushtimi janë bërë kopertina të mbi shtatëdhjetë veprave letrare, të botuara në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Shqipëri, Kosovë, Rumani, Turqi, Filipine, Indi, Serbi, Kili dhe Argjentinë. Pikërisht këtu fillon sinteza e vërtetë e përvojës së tij, por edhe e përvojës sonë artistike. Një zbulim i vërtetë i imazheve të mrekullueshme të natyrës, fytyrave, ngjyrave, emocioneve, ndjenjave, ngjarjeve, ndryshimeve të stinëve, humorit dhe tingujve të heshtur, por shumë të dukshme për syrin gjithmonë të gatshëm dhe kurioz të profesionistit, të gjitha këto, të marra në vendin e duhur në kohën e duhur dhe që shpërfaqen me dorën e sigurt dhe shpirtin e butë të artistit të madh.
Fotografitë e Biagio Fortinit flasin vetë, por ai është gjithmonë i pranishëm në to. Kjo aftësi e jashtëzakonshme, e shoqëruar me një ndjeshmëri të madhe dhe më pas e përkthyer në dëshirën e dukshme për të ndarë emocionet me publikun, vërehet në imazhet spektakolare të natyrës, të bëra në vende të ndryshme dhe të largëta nga vendi i tij i lindjes, nga Cremona dhe nga Bergamo, ku ai jeton. Fortini është pra një fotograf i lëvizjes. Në çdo kuptim. Dhe ja pse. Edhe kur na paraqet momente të palëvizshme dhe “pa frymë”, të kapura në madhështinë e heshtjes, ndihet gëlimi i natyrës, i kapur nga objektivi i profesionistit. E tillë është përshembull kopertina e përmbledhjes së vargjeve të poetes Irma Kurti, e titulluar “Imazhi yt mes gishtave të mi”, ku Fortini ka arritur në mënyrë të magjishme të kapë “heshtjen e detit të trazuar”, simbolin e shpirtit të ndjeshëm të poetes. Imazhi i puthjes së diellit që perëndon, hija e artë e të cilit del në sipërfaqen e ujit pothuajse të fjetur, dhe i valëve lozonjare që si era pëshpërisin emocionet e fotografit, së pari në vesh dhe pastaj në shikimin e lexuesit, dëshmon për talentin e Biagio Fortini-t. Këtu mund të flasim edhe për një “vijë” të tërë fotografike me imazhe të detit midis një “pafundësie” fotografish për natyrën të marra nga këndet e ndryshme të objektivit të tij, por edhe me kuriozitetin e madh dhe gjithmonë të ndryshëm, nëse jo “shumëngjyrësh”, të syrit të tij fotografik. Në qendër të objektivit është bukuria e objektit të marrë, të përshkruar, por para së gjithash të rrëfyer, dhe ndonjëherë në mënyrën e tij, madje edhe të poetizuar. Kjo është arsyeja pse Fortini ka sukses me kopertinat e veprave të ndryshme letrare. Imazhet e tij nuk janë vetëm fotografi të bukura dhe të bëra me mjeshtëri, por ato shfaqen si histori të vërteta që shoqërojnë vargjet, rreshtat, imazhet, historitë, personazhet etj. të autorëve të ndryshëm që i drejtohen atij me besim, sepse janë të bindur se lidhja midis ndjenjave, emocioneve, ngjyrave, lëvizjeve dhe çasteve të filtruara midis syrit poetik dhe fotografik shkojnë gjithmonë në të njëjtin drejtim. Ështe ajo që të çon në bukurinë e fjalës dhe në shkrepjen e arrirë të një fotografie.
Një tjetër element i rëndësishëm ose detaj “i vogël” i venës fotografike të Fortinit, i reflektuar në imazhet e natyrës, është dielli, ose më saktë energjia e tij lëvizëse që pulson nga fotografitë e shkrepura prej tij. Dielli që lind dhe perëndon, transformohet në mijëra ngjyra midis gjetheve të vjeshtës, porteve të verës, plazheve dimërore që dëshirojnë ylberin diellor që është gati të mbërrijë, diellit luftarak dhe fitimtar mbi retë që tashmë buzëqeshin, gati të pranojnë disfatën e tyre si përpara fuqisë dhe bukurisë së yllit më verbues, ashtu edhe përpara aftësisë së jashtëzakonshme të fotografit.
Shtetet, vendet, qytetet, kontinentet etj., që zbulojnë zakonet dhe traditat e tyre, të gjitha këto të shkruara, të lexuara dhe të zbuluara në fytyrat njerëzore që na tregojnë për mijëvjeçarë të ekzistencës njerëzore dhe tokësore, zbulojnë një tjetër tendencë dhe destinacion artistik të Fortinit. Udhëtimi i imazheve, sepse aparati fotografik dhe mendja e fotografit janë gjithmonë në udhëtim dhe në kërkim, zbulon sekretin e suksesit të tij duke dhënë përgjigjen pse Fortini është një fotograf i shkëlqyer. Kështu, imazhi i shamanit të vjetër indian, i marrë gjatë udhëtimit të gjatë të tij në Indi, mund të ishte marrë sot, dje, disa vite, shekuj ose mijëvjeçarë më parë. Shkurt, ai imazh është i përjetshëm, kozmik, universal. Sepse artisti ka qenë në gjendje të kapë jo vetëm momentin dhe shprehjen e duhur, por edhe të vëzhgojë përmes syve të “objektit” të tij, fotografisë së tij.
Virtyti i parë dhe thelbësor i çdo fotografi të mirë është aftësia për të pasur një shpirt të shkëlqyer vëzhgimi. Dhe është pikërisht këtu që imazhi fillon të flasë, së pari me veten, pastaj me ne shkuesit. Por fotografi duhet së pari t’i kuptojë të gjitha këto. Dhe Fortini e di mirë këtë. Ai e di gjithashtu se nga këtu buron durimi që do t’i lejojë të kapë momentin e përsosur. E gjithë kjo na zbulohet në fotografinë e shamanit të moshuar, në të njëjtën kohë i qetë dhe i mençur, i gëzuar dhe paqësor, i pranishëm këtu dhe tani, por në të njëjtën kohë, i largët në kohë dhe nga vendi ku është bërë fotografia. Shkurt, i gjallë dhe i pavdekshëm në fotografinë e Fortinit.
Dhe për ta përfunduar mirë këtë vëzhgim modest të artit të një fotografi të jashtëzakonshëm si Biagio Fortini në stil, le të shtojmë edhe disa rreshta që meriton kryevepra e sesionit të tij fotografik me titull “India”. Është imazhi i një vajze të re indiane, i fytyrës së saj të përsosur, të zbukuruar me gjerdanët tradicionalë të fesë së saj, të kapur në kënd dhe simetri të përsosur, por edhe në harmoni të përsosur me shpirtin e saj rrezatues. Është portreti dhe homazhi jo vetëm për bukurinë e pamasë dhe karizmën e saj, por edhe për cilësinë tjetër të domosdoshme që çdo fotograf i suksesshëm duhet të ketë, domethënë empatia njerëzore dhe profesionale nga e cila lind aftësia e profesionistit për të përfshirë audiencën e tij me një mesazh që arrin drejtpërdrejt në zemër, duke zgjuar empatinë, domethënë ngrohtësinë. Dhe dihet se ngrohtësia e zemrës është gjithmonë ngjyra më e ndritshme e jetës sonë. Fortini, si një fotograf dhe artist i madh, e di shumë mirë këtë. Dhe ai gjithashtu e di mirë sesi ta njohë momentin kur duhet të bëjë një hap prapa për ta lënë veprën e tij të flasë vetë. Kjo është e vetmja mënyrë për të dëgjuar të pëshpërisë në heshtje se: “Nuk është ai rëndësishëm aparati fotografik, por kush është pas tij.” E gjitha kjo për të mirën e tij, tonën dhe për të mirën universale. Pikërisht ashtu siç shprehej Platoni.

VESNA ANDREJEVIĆ

Poete, shkrimtare, përkthyese dhe kritike letrare

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT