Kam dëgjuar që kur
hyjnitë zbritën të jetonin krahëve tu Shqipe,
të sfidonin dilemën e zhytur
në mëkatin e Adamit joshur nga Eva.
Përbetoheshin me jetë
duke të mbrojtur me shpirt
dhe kurorën e mbretëreshës
ta vendosën në krye,
në Mesdhe deri në detin Egje.
Kungoheshin në bukuri
tek ndiznin flakën meshës
së shenjtë;
mëshirë e dashuri për ty,
deri sa Toka të rrotullohej
rreth Diellit.
Kam dëgjuar për dhembjet e tua të trishta,
plagët që pikonin gjak,
zemrën e ndarë në copa,
dhe tradhtinë e pandëshkuar të Judës.
Hyjnitë fluturuan
drejt parajsës
për të mos vdekur kurrë
memories sate.
Njerëzit sy përlotur
luteshin pa kisha e xhamia;
mes gërhamës së fundit merrje frymë,
rrethuar nga çmenduri shtazarake.
Kam dëgjuar se gjoja po fluturoje tashmë
në lirinë e dëshiruar prej shekujsh,
por dhembjet e tua vazhduan
në dimrin e gjatë drakonik.
Kam dëgjuar të përpëliteshe
drejt brigjeve përtej,
si anija e Kolombit në kërkim të pranverës së humbur.
Tani besoj se ke qenë përherë një perlë,
po, që në krye të herës më e mira ndër shoqe,
hënë me yje e diell kupës së qiellit pa pra,
rrethuar me det, lumenj e liqen,
dhe çuditërisht e pasur.
Por kolltuqeve, bijtë e tu
të pangopur,
me duar të pista e shpirt ndotur.
Besoj në rikthimin e një Perëndie,
që të të dojë sërish si atëherë,
me ndjenja dashurie,
deri në asht.
Ta heqi atë kufi me Dardani,
e të mbreterosh me Çamëri.
Unë të dua sido që të jesh,
e zemra veç për ty më rreh!