O kënga ime, pse më rrin e heshtur
U errësua qielli nga ato re të vrara
Shih sot si t’kërcënojnë pa rreshtur
Si shpezë, grurin të pa pjekur n’ara.
Zgjohu, edhe bën kujdes nga era
E mos e lejo si gjethin të t’shkund
Pa dallëndyshe nuk vjen pranvera
Edhe këndo, ende ky s’është fund.
Ju, sytë e mi, të vjetruar n’moshë
Çerpik të thinjur ua zënë shikimin
T’mos kërkoni me shikim lëmoshë
Por, kësaj jete t’i nxjerrni kuptimin.
Edhe ju veshë, dëgjone atë vajin
Ku, nënat çdo ditë fëmijët i qajnë
Kujt t’i flasim, kujt t’ia lëmë fajin
Për ata fëmijë që në gji ua vrajnë.
Këndoni ju lutem atje ku s’këndohet
Ku ndërgjegjet nga turpi nuk vrahen
A doni të shihni pa armë si luftohet
Si dhe fëmijët nga nënat si ndahen?
Këndoni e vajtoni o ju këngë të mia
Të gjykoni drejt, mos tu jepni lakun
Shih, sot çka mund t’bëjnë njerëzia
Ku është ai zot që nuk u jep hakun?