Shpresa ishte zjarri në vorbulla stuhish,
Një dritë që s’shuhej në grykën e humnerave,
Zëri i vetëm që më thërriste në perëndime kohërash,
Përtej, përtej…, diku do të arrish.
Koha më shfaqej me dhëmbë prej vampiri,
Dhe kafshonte skajet e emrit tim,
Lidhi plagët dhe ec, më shtynte shpresa,
Përtej, përtej…, do të lind përsëri një agim.
Murmuriste e ardhmja me zë të mekur,
Nën avalancën e ditëve me plagë e me halle,
Mos të trembin hematomat e kohës,
Jeta është e gjatë dhe bota është e madhe.
Dhe kur shkëlqente fitorja e vinte kurorë,
Si një yll i ndezur në hapësirat e shpirtit,
Shpresa pëshpëriste e ma bënte me dorë,
Përtej, përtej…, kjo është vetëm një derë.
Kërkoja një shtrat për eshtrat e mia,
Por shpresa më thërriste “ende jo”,
Tani era bart e shpalos gëzimin tim,
Pasqyrat e kohës më përshëndesin kudo.
Përtej, përtej…, i dha udhë fatit tim.