Studiuesit në Universitetin e Floridës po i afrohen zhvillimit të një vaksine ‘universale’ kundër kancerit, sipas një studimi të publikuar më 18 korrik në Nature Biomedical Engineering.
Kjo vaksinë eksperimentale synon të zgjojë sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar të gjitha format e kancerit.
Dr. Elias Sayour, bashkautor i studimit dhe drejtues i Iniciativës për Imunoterapi Pediatrike, tha për Newsweek se vaksina nxit një reagim të fortë imunitar ndaj diçkaje që duket e rrezikshme, dhe kjo përgjigje më pas përhapet duke njohur dhe refuzuar tumorin. Ai beson se kjo qasje mund të zbatohet ndaj çdo lloj kanceri, pasi aktivizon sistemin imunitar që ndryshe qëndron i fjetur tek pacientët me kancer.
Aktualisht, vaksina është në faza të hershme të provave klinike tek njerëzit. Nëse provohet e suksesshme, mund të përfaqësojë një paradigmë të re në trajtimin e pacientëve me kancer.
Ndryshe nga vaksinat tradicionale që parandalojnë sëmundjet infektive, shumica e vaksinave për kancerin janë ‘terapeutike’, pra përdoren për trajtim pas shfaqjes së sëmundjes.
David Braun nga Qendra e Kancerit të Universitetit Yale, që nuk është pjesë e studimit, tha se ideja që vetë vaksina, pa pasur një objektiv specifik, mund të stimulojë sistemin imunitar të luftojë kancerin, është intriguese, por duhet testuar me kujdes në prova klinike.
Në SHBA, në vitin 2022 u raportuan afro 2 milionë raste të reja me kancer dhe mbi 600,000 vdekje në 2023, sipas të dhënave të CDC. Kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në vend, pas sëmundjeve të zemrës.
Edhe pse ekzistojnë disa vaksina të aprovuara, si Provenge për kancerin e prostatës, dhe të tjera eksperimentale si vaksina mRNA e Modernës për melanomën dhe kancerin e mushkërive, ato janë të fokusuara në lloje specifike të kancerit. Risia e kësaj vaksine qëndron në potencialin për të vepruar ndaj të gjitha formave të kancerit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ende kërkohen vlerësime rigoroze për sigurinë dhe përfitimin terapeutik para se të ecet më tej. Ndërkohë që vaksinimi universal është qëllimi përfundimtar, vaksinat të personalizuara mund të jenë më të realizueshme për shkak të saktësisë së tyre dhe rrezikut më të ulët për efekte të padëshiruara. / Newsweek – Syri.net