Saturday, August 2, 2025
BallinaVitrina e libritRECENSION NGA ANGELA KOSTA: "AURA E NJË ARTISTI" E AUTORES ITALIANE ARIANNA...

RECENSION NGA ANGELA KOSTA: “AURA E NJË ARTISTI” E AUTORES ITALIANE ARIANNA MOSCONI

Poezia “AURA E NJË ARTISTI” e autores italiane Arianna Mosconi, është një portret poetik i cili na zhyt në ndjeshmërinë e thellë dhe të larmishme të artistit në përgjithësi, e krahasuar me aurën që ata mbartin. Poetja e ngjyros aurën e tyre sipas gjendjes emocionale dhe krijuese që ata me muzën e tyre e shpien gjithmonë në lëvizshmëri.
Mosconi përdor një gjuhë shumë të pasur metaforike dhe alegorike, të lidhur me gurët e çmuar, secili i përzgjedhur me kujdes për të përfaqësuar nuancat e shpirtit artistik dhe të aurës së tyre pothuajse hyjnore.

Le të pasqyrojmë gjithçka sa përmendëm më sipër më hollësisht:
Vargu i parë:

  1. aura e një artisti është shumëngjyrëshe:
  • Na përcjell menjëherë idenë se esenca e artistit nuk është statik, por i larmishëm dhe i pasur, i aftë për të reflektuar emocione të ndryshme.
  1. rozë kur vibron nga dhembshuria / dhe udhëhiqet nga notat e zemrës:
  • Ngjyra rozë, një ton delikat dhe plot dashuri, na paraqet empatinë. Kjo transmeton dashurinë për tjetrin dhe aftësinë për të ndjerë thellësisht dhimbjen dhe emocionet e të tjerëve.
  1. së një ametisti të purpurt / kur është në harmoni të plotë / dhe në lidhje me ndjesinë e tij të vërtetë:
  • Guri i çmuar i ametistit të purpurt, na paraqet qetësinë shpirtërore dhe introspeksionin.
    Këtu artistja është në kontakt të thellë me vetveten, në një gjendje frymëzimi të pastër dhe meditativ.
  1. Dehet nga një blu akuamarin / nëse një rrebesh duartrokitjesh mund të perceptojë /
    ose pianos t’i afrohet:

– Akuamarina reflekton komunikimin dhe suksesin artistik. Bluja pasqyron qetësinë dhe perceptimin e thellë, duke u kthyer në vibracion dhe kënaqësi në kontaktin me lexuesit apo spektatorët të cilët e shprehin admirimin e tyre, me një rrebesh duartrokitjesh.

  1. Është prej një ari të shndritshëm / si topaz perandorie / kur vargjet e tij reciton:
  • Këtu, topazi perandorak, kurorë mbretërore me shumë gurë të çmuar, përfaqëson kulmin e shprehjes dhe të shkëlqimit të artistit, i cili manifestohet në këtë krijim poetik, me mjeshtëri të lartë. Dhe ky është momenti më i fuqishëm i pranisë së artistit në skenë.
  1. Ka nevojë të jetojë / për të eksperimentuar ndjenja të forta / e jo për çmime që të krenohet:
  • Me këto vargje, poetja Mosconi thekson autenticitetin e artistit, për të cilin përvoja e përjetuar e krijimtarisë është ushqim shpirtëror dhe jo një njohje e sipërfaqshme për t’u ekspozuar dhe mburrur.
  1. Një poet është një pikë kristali i kthjellët /
    i shpërndarë në det:
  • Kristali I kthjellët (kuarci transparent) është alegoria e pastërtisë dhe e brishtësisë. I shpërndarë në det, artisti “i vogël”, i padukshëm, bëhet i madh në pafundësinë e botës, duke reflektuar pikërisht në kthjelltësinë e detit.
  1. që brenda vetes shikimin fëminor ruan:

– Është elementi qendror i krijimtarisë poetike, sepse pafajësia dhe mrekullia e fëmijës, janë burimi i vërtetë i artit të vërtetë.

  1. dhe natyrisht nuk i intereson të habisë / me një gjuhë të rafinuar. / Do vetëm të zhduket /
    do të jetë si një lulekuqe buzë rrugës / të gëzojë, edhe pse i harruar:
  • Poezia përmbyllet me krahasimin e artistit me lulen e thjeshtë të lulëkuqes, modeste por tejet jetike. E njëjta gjë ndodh edhe me poetin/en e vërtetë: ai/ajo, nuk kërkon famë, por gëzimin intim ndaj krijimit, edhe pse e di fare mirë, që ndoshta një ditë, do të harrohet.
  1. Në të gjithë poezinë, gurët, xhevahirët e çmuar, shndërrohen në një kod dhe çelës për të përshkruar në mënyrë të përsosur aurën dhe gjendjen shpirtërore që çdo artist mbart brenda vetvetes:
  • ngjyra rozë: përfaqëson dhembshurinë;
  • ametisti i purpurt: harmoninë dhe qetësinë;
  • akuamarina: lidhjen artistike;
  • topazi: kurorën hyjnore të aurës.

AURA E NJË ARTISTI

Aura e një artisti është shumëngjyrëshe,
rozë kur vibron me dhembshuri
dhe udhëhiqet nga notat e zemrës,
së një ametisti të purpurt
kur është në harmoni të plotë
dhe në lidhje me ndjesinë e tij të vërtetë.

Dehet nga një blu akuamarin
nëse një rrebesh duartrokitjesh mund të perceptojë
ose pianos t’i afrohet.

Është prej një ari të shndritshëm
si topaz perandorie
kur vargjet e tij reciton.

Ka nevojë të jetojë
për të eksperimentuar ndjenja të forta,
e jo për çmime që të krenohet.

Një poet është një pikë kristali i kthjellët
i shpërndarë në det,
që brenda vetes shikimin fëminor ruan,
dhe natyrisht nuk i intereson të habisë
me një gjuhë të rafinuar.
Do vetëm të zhduket,
do të jetë si një lulekuqe buzë rrugës,
të gëzojë, edhe pse i harruar.

Nga: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT