Kapiteni i Tottenham Hotspur, Heung Min Son, ka njoftuar zyrtarisht largimin nga klubi pas një dekade të kaluar në Londër.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Seul, Son ka thënë se kishte marrë vendimin më të vështirë të jetës së tij.
“Kërkova të transferohem. Ky është vendimi më i vështirë i karrierës sime, por kam vendosur të largohem. Kam dhënë më të mirën time këtu dhe tani kam nevojë për një sfidë të re. Erdha në Londër si një djalë që nuk fliste anglisht dhe po largohem si burrë. I falënderoj të gjithë tifozët për dashurinë që më kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve”, është shprehur ai.
Tridhjetë e tre vjeçari i ishte bashkuar Tottenham në vitin 2015 nga Bayer Leverkusen dhe që atëherë ka zhvilluar mbi 450 ndeshje, duke shënuar plot 173 gola për klubin anglez. Në muajin maj, ai arriti ta fitojë trofeun e Europa League, i cili ishte suksesi i parë evropian i Tottenham pas dyzet e një vitesh.
Edhe pse nuk e bëri të ditur se ku do të vazhdojë karrierën, mediat ndërkombëtare raportojnë se destinacioni i tij i radhës mund të jetë MLS në Shtetet e Bashkuara, konkretisht skuadra Los Angeles FC./rtklive/