Friday, August 8, 2025
BallinaVitrina e libritKumrie Avdyl Shala -TË JETOSH ME PAQE JO ME PAKËNAQËSI

Kumrie Avdyl Shala -TË JETOSH ME PAQE JO ME PAKËNAQËSI

Njeriu duhet të dijë të jetojë edhe me dhimbje, nëse ka, le të jetojë mirë, pa dëmtuar dhe pa rënduar askënd, dhe jo të reflektojë negativitet në shoqëri.

Ne e dimë shumë mirë se askush në jetë nuk i ka të gjitha. Edhe ai miliarderi ka halle, ndoshta më shumë se i varfri. Por duhet të mundohemi ta bëjmë një balancë jetësore, të mos shkaktojmë pakënaqësi në shoqëri, dhe në të kundërtën, më mirë hesht dhe mos ndërhy aty ku nuk të takon.

Edhe pse padrejtësitë nuk falen, duhet të kërkojmë që gjithmonë të dalë në shesh e vërteta. Pakënaqësitë duhet të diskutohen qetësisht, pa presione dhe pa nervozizëm, që të gjendet arsyeja dhe shkaku i palumturisë.

Ne kemi vërejtur në shoqërinë tonë shumë herë se ata që nuk janë të kënaqur me jetën e tyre, çdo sukses i juaji i pengon! Sado që mundohesh t’i përkrahësh, e ke të kotë. Sepse këta njerëz, në mungesë të aftësive, janë të mbështjellur dhe të ngulfatur me pakënaqësi dhe janë të palumtur.

Ata që janë në këtë gjendje “palumturie”, edhe pse nuk e pranojnë, duhet të ndalen vetëm një çast dhe të mendojnë vetëm një herë se nuk janë të gjithë njerëzit njësoj. Ka shumë nga miqtë, familjarët, shokët, shoqet që mundohen të jenë krahu i djathtë i tyre.

Sepse jeta nuk është ndërtuar vetëm me njerëz materialistë, arrogantë, injorantë, të pashpirt dhe egoistë, por ka edhe njerëz humanë, njerëz që ua duan të mirën të tjerëve, njerëz që përpiqen për të tjerët.

Në kokat e tyre nuk duhet të krijojnë ide negative. Nuk janë të gjithë të këqij, por ka njerëz të mirë që nuk heqin dorë lehtë nga dikush që e kanë familjar, mik/e apo shok sepse nuk janë të gjithë pa zemër, siç i konsideron njeriu i palumtur me jetën.

Atëherë kjo kategori e ketyre njerëzve duhet të mundohen që të qetësohen dhe t’u jepni hapësirë atyre që dëshirojnë t’i përkrahin, që dëshirojnë të jenë krahu i tyre i djathtë sa herë që munden. Keshtu qe njerëzit e tjerë, mos i shikoni si armiq apo si rivalë, e mos shikoni vetëm zi. Jeta është e bukur, ka lloj-lloj ngjyrash, ka lloj-lloj sfidash, por ne duhet t’i përballojmë me qetësi.

Le të reflektojmë drejt, sepse jeta është e shkurtër. Kur njeriu largohet nga kjo jetë, shuhet çdo gjë, mbesin vetëm veprat e tua pas.

Shumë herë kam dëgjuar që kur njeriu vdes, çdo fjalë të mirë e thonë për të, e në fakt, sa ka qenë i gjallë, kurrë nuk i kanë ofruar qoftë një mbështetje morale.

Prandaj mos jetoni jetën me pakënaqësi, kënaquni me atë që keni si risk nga jeta. Mos paragjykoni. Mos urreni ata që kanë pasur mundësi të kenë më shumë se ju, që kanë arritur më shumë se ju, që udhëtojnë më shumë, që kanë autoritet më shumë se ju, etj.

Sepse autoriteti fitohet me qëndrueshmëri, sinqeritet, njohuri profesionale, korrektësi, të vërtetën, njerëzi, thjeshtësi dhe humanizëm.

Gjëja më e rëndësishme është që ti, unë, ju, ata , jemi gjallë. Ecim, hamë, pimë, flasim. Dhe kur flasim, mundemi t’i zgjidhim të gjitha pakënaqësitë. Prandaj dallohemi nga bota shtazore.

Mundohuni t’i shprehni dhe ti zgjidhni pakënaqësitë me njerëzit tuaj përmes bisedave gojore dhe me takime, duke u bashkuar në kafe apo dreka. Ndërsa në punë, përmes bisedave, takimeve, mbledhjeve apo përmes shkresave zyrtare, nëse ka nevojë.

Në fund të fundit, palumturia zhduket vetëm kur komunikon, kur shprehesh duke e thënë të vërtetën dhe duke u pajtuar me atë çka ta ka dhuruar jeta dhe Zoti si risk.

Kënaquni me atë që keni, pa u sforcuar dhe pa urryer ata që arrijnë suksese. Gëzohuni për sukseset e të tjerëve, mos i urreni. Sepse në momentin kur gëzoheni, edhe qelizat e trupit tuaj lëshojnë aromë lumturie në rrethin tuaj, dhe ju reflektoni pozitivitet e rrezatoni gjithmonë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT