Sunday, August 10, 2025
BallinaVitrina e libritImer Hysa-VARGJET

Imer Hysa-VARGJET

Ti mendon se është lehtë të shkruash vargje
Të bësh të tjerët të thërrasin: Poet!
Jo, kurrsesi, është punë mundimmadhe
Është rrugë e vështirë, poshtë e përpjetë.

Është si puna e fëmijës kur nis e ecën
Bie dhe ngrihet, për të mos rënë
Gjunjët i vret, por nuk thyhet
Dhëmbët shtërngon, s’thotë: Oh, nënë!

Vargjet s’shkruhen thjesht në letra
As këputen, si lulet në saksi
Vargjet shkruhen nëpër ëndrra,
Ëndrrat e bukura, lindin poezì.

Vargu ngjan me një thërrime buke
Kur të kalon padashje në fytin e thatë
Po s’ta pëlqyen, do të thotë s’ka dukje
Nuk ka ëmbëlsinë e pjekjes së artë.

Vargjet ngjajnë shumë dhe me gjethet
Duan dritë dhe ujë, duan ngrohtësi.
Përndryshe, zverdhen si në stinë vjeshte
I rrëzon përtokë dhe më e lehta puhì.

Vargjet kanë forcë, ngjajnë dhe me gurin
Nodnjë poet në gurë ato i gdhend
Atëherë fitojnë qëndresën e burrit
Si gurë themeli, ato zenë vend

Ndaj mos mendo se shkruhet lehtë
Dhe mund të shkruaj kushdo vargje
Vargjet s’duan portale, duan ndjenjë
Duan shpirt, si buka në magje.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT