Poetja dhe përkthyesja shqiptare Irma Kurti nderohet me “Çmimin e Përkthimit” në edicionin e 30-të të Konkursit Ndërkombëtar Letrar “Posedonia Paestum”. Ky vlerësim iu dha për poezinë e titulluar: “Testamenti”, me motivacionin e mëposhtëm: “Një tekst i fuqishëm dhe i thjeshtë që i dedikohet proçesit të plakjes me një qartësi çarmatosëse dhe figuracion të fortë, pa retorikë, vargje që kërkojnë vemendje dhe respekt. Një testament poetik që e transformon refuzimin e dekadencës në një akt lirie ekstreme. Përdorimi i metaforave “pemë e kalbur” dhe “gotë bosh” përcjellin intensitetin e mendimit që përpiqet të mbijetojë brishtësinë e trupit.” Përveç këtij vlerësimi, në këtë edicion, poetja gjithashtu u nderua edhe me Çmimin “Paestum Cilento Baronia”.
Në mjedisin e shkëlqyer të sitit arkeologjik në Paestum, u shpallën fituesit e pesë kategorive të çmimeve dhe seksioneve speciale të Konkursit ndërkombëtar të poezisë “Poseidonia Paestum” me pjesëmarrës nga e gjithë Italia dhe bota.
Ky është çmimi i dytë për përkthimin që i jepet poetes Irma Kurti gjatë vitit 2025, pas atij në edicionin e 34-të të Konkursit Ndërkombëtar Letrar “Centro Giovani e Poesia – Triuggio” në Monza dhe Brianza disa muaj më parë.
Konkursi Letrar Ndërkombëtar i poezisë “Posedonia Paestum” i organizuar nga Lions Club Paestum Host u mbështet nga Bashkia e Capaccio-Paestum dhe kompania Convergenze S.p.A. Këtë vit, ai gëzonte gjithashtu patronazhin e Parkut Kombëtar Cilento dhe Vallo di Diano dhe BCC Magna Grecia.
Ceremonia u drejtua nga profesoresha Rita Bellelli dhe gazetari Guido Carione, të cilët shpallën emrat e zgjedhur nga juria prestigjioze, e përbërë nga: Ermanno Corsi, ish-gazetar i RAI-t; Giuseppe Funicelli, kirurg dhe poet; Alberto Granese, kritik letrar dhe profesor letërsie; dhe Pasquale De Cristofaro, regjisor teatri dhe dramaturg. Gjatë mbrëmjes, leximi i poezive fituese nga aktori Pasquale De Cristofaro u alternua me pjesë muzikore të interpretuara nga Paola Salurso (vokal kryesor) dhe Fabio Tolomeo (kitarë klasike dhe elektrike).
IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël.
Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar mbi 110 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 21 vende të botës.
