JOAN LEOTTA luan me fjalët mbi fletën e bardhë dhe në skenë. Ajo është eseiste, poete, shkrimtare tregimesh të shkurtra, romanciere dhe dy herë e nominuar për Pushcart dhe Best of the Net. Poezitë dhe tregimet e saj janë botuar në Spillwords, One Art, The Ekphrastic Review, The Lake dhe shumë të tjera. Romanet e saj paraqesin si protagoniste gra të forta italo-amerikane. Ajo realizon programe, të cilat shpesh nxjerrin në pah ushqimin, familjen dhe gratë e forta dhe sapo ka debutuar në një shfaqje me një protagoniste të vetme grua që titullohet: “Njihuni me Louisa May Alcott, Infermiere dhe Forcë Shëruese në Amerikën e pas Luftës Civile”.
JORGANI
E ulur mbi divan,
strukem nën një jorgan
të bërë me palltot e gjyshes.
Çdo katror është prerë nga një ditë
kur ne dilnim bashkë
për drekë, në kishë apo për në pazar.
Unë mbështetesha pas saj
në makinë, taksi apo tramvaj
kur isha e lodhur nga gjithçka.
Gjyshja më përqafonte,
më tërhiqte pranë vetes—faqja ime
në pallton e çdo stine,
dinte të më ngushëllonte.
Tani çdo katror është
një shteg për t’u kthyer në fëmijëri
atëherë kur faqja ime
mbështetur në pallton e gjyshes
qetësonte të gjitha mosmarrëveshjet
e një bote kaotike.