Një jetë udhë për t’u gjendur buzë detit,
në bregun që të mbush me frymë,
prej nga shihet një ishull që e prek fjala,
e me vështrim nga fluturojnë pulëbardha,
poeti pelegrin
kërkon ta kapë misterin e krijimit,
të pas ditës së shtatë,
kur zoti krijoi poetët
e harroi ta krijonte poezinë…
Në atë ishull fjalësh,
mbështjellë me vështrime pulëbardhash,
dallgët shuhen pa u prekur,
e këmba s’shkel…
Veç poetët,
të gjallë ose të vdekur,
përmes fjalës
do të mbërrijnë dikur atje…
Brenda një ishulli
Brenda një ishulli erdhën dallgë këndej dhe andej,
bregut përqark i ranë.
Pritej një shtërngatë,
gjithë natën e gjatë,
për ta sulmuar me ujë nga qielli,
ndërsa dikush do të bërtasë:
lidheni, zvarriteni, msheleni!
Brenda një ishulli si brenda një libri pa fletë,
mund të krijosh dallgë deti të tjera,
largësitë
deri te bregu i mat me hapa të lehtë,
thellësitë në kohë
t’i sjell një varg poeti,
që e krijon një Itakë
e të fton ta marrësh me vete,
udhëve të largëta nëpër dete.
Brenda një ishulli, që Itakës i ngjan,
krijuar me kohë, me hapa dhe fjalë,
gdhende me mermer të bardhë,
një far,
një memorial
e një dëshirë,
dy përshëndetje
një mirësevjen dhe një lamtumirë!
Për hënën që si muzë më flet
Sot ndihem mirë,
po krijoj ëndrra të paqta në diell,
shkruaj kujtime.
Sa herë ndrroj fletë,
më bie ndërmend
një frymë e muzës sime.
Dhe shoh shtatë male më përtej,
ndalem në shtatë mëngjese larg…
Braktis shtatë të hëna
për një të djelë,
shtatë netë dimrash,
për një mbrëmje të gjatë…
Dhe shkruaj
për ta rikrijuar të djeshmen,
e djeshmja nuk mbarohet shpejt.
Fal shtatë të djela për të hënën,
për hënën
që si muzë më flet.