Ah, trupi im,
përsëri më tradhtove.
Ndjesia jote kërkon të tijin,
siç kërkon uji shkëmbin.
Si guxon ta dëshirosh ende?
Të ëndërrosh akoma për gjuhën e tij,
për atë prekjen që më linte pa frymë,
atë dhimbje që quhej kënaqësi?
Si guxon si…?
Ti digjesh për të, trupi im
e unë dridhem nga malli.
Çdo natë, më tundon
me kujtimin e lëkurës së tij,
si një mëkat që s’mbaron,
si një puthje pa kthim.
Ah, përmbahu…mos e zgjo zjarrin
që mezi e kam fikur me lot.
Mos,
Përmbahu, trupi im duro…
Më mëso si ta harroj …nëse harrohet.
A harrohet…?