Saturday, August 23, 2025
BallinaVitrina e librit Valbona Shehu -DON ZHUANI I BORXHEVE – KOMEDIA E TURPIT

 Valbona Shehu -DON ZHUANI I BORXHEVE – KOMEDIA E TURPIT

Ja ku del prapë, o “i madh” Don Zhuan,
Me pantallonat bosh e xhepat plot borxhe,
Me zemrën e zbrazët si kasolle pa çati,
Duke u fshehur nga vëllezërit, shokët e miqtë,
Si hije që endet rrugëve të Europës,
Me frikën se kush do të thërrasë i pari:
“Ku je, mashtrues, më kthe borxhin!”

Ti, që u betove për dashuri,
E le gruan me dy fëmijë në mes të rrugës.
Pastaj dole në Itali, në Portugali,
Duke mbledhur gra si koleksion figurash,
Dhe tani, në Luksemburg, je bërë dhëndër Portugez,
Vetëm sa për një pasaportë –
Ah, çfarë dashurie e madhe kjo,
Një pasion i nxehtë për letër plastike me stemë!

Don Zhuani i borxheve…
Me gënjeshtrat e tua të lira,
Me ëndrrat që i shet si mall në rrugë,
Je bërë më i famshëm se cirku i rrugës:
Një aktor i falimentuar,
Një kloun që askush nuk e duartroket më.

Europa të njeh,
Jo për trimëri, jo për sukses,
Por për turpin e pafund,
Për historitë e pista që lë pas,
Për borxhet që s’i shlyen kurrë,
Për gra që i përdore si shkallë të thyera.

Unë, unë që dikur të besova,
Sot qesh me emrin tënd.
Je bërë anekdota e ditës,
Qesharak i përjetshëm,
Shembull për çdo grua
Se çfarë të mos zgjedhë kurrë.

Ec tani, shëtit me Portugezen e pasaportës,
Tregoji asaj historitë e tua të trilluara,
Se ndoshta ajo s’ka dëgjuar ende.
Por bota tashmë të njeh si je:
Një mashtrues i lodhur,
Një Don Zhuan i dështuar,
Një turp që s’ka më fytyrë.

Unë s’të shoh më as me zemërim,
As me mall, as me dhimbje –
Të shoh me ironi,
Si një kukull prej letre që digjet në flakë,
Si një shaka e hidhur që nuk prek më askënd.

Ti për mua je një hiç,
Një zero që endet në hije,
Një “Don Zhuan i borxheve”
Që edhe historia do e tallë,
Sepse turpi yt është aq i madh,
Sa nuk ka varg që ta mbulojë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT