Napoli nis nesër në mbrëmje mbrojtjen e titullit kampion në Serie A, me duelin ndaj Sassuolos në “Mapei Stadium”.
Në konferencën për media, trajneri Antonio Conte, ka paralajmëruar se sezoni i ri do të jetë i mbushur me sfida dhe presion.
Ky është një grup serioz, që punon fort dhe dëshiron të përmirësohet çdo ditë. Nuk kam nevojë të përsëris asgjë, por kam theksuar një fakt historik: Napoli nuk ka arritur kurrë të përsërisë suksesin pas një titulli kampion,” u shpreh ai.
Conte kujtoi edhe dështimin e sezonit dy vite me parë, kur Napoli, pavarësisht një skuadre të fuqishme me Osimhen, Kvaratskhelia dhe Zielinskin, përfundoi në vendin e dhjetë pas largimit të Kim dhe blerjeve prej 100 milionë eurosh.
“Këtë duhet ta kemi të gjithë parasysh, nga lojtarët te tifozët,” shtoi tekniku italian.
Strategu italian mendon se ky sezon do të jetë më i ashpër se kurrë.
“Është një kampionat shumë i vështirë, me shumë skuadra të forta. Duhet të japim maksimumin dhe të tregojmë rrugën e duhur, sepse duke fituar vitin e kaluar kemi hapur horizonte të reja për shumë ekipe”, ka pohuar Conte.
Napoli shpreson ta nisë me këmbë të mbarë sezonin e ri, por Conte nuk fsheh faktin se sfida e vërtetë është ruajtja e kurorës së kampionit./RTK