Friday, August 22, 2025
BallinaVitrina e libritMarsela Neni-Mbaj veshur poezi

Marsela Neni-Mbaj veshur poezi

Unë qeshë e dyta e vajzave
pastaj erdhi në botë im vëlla
e ne u bëmë tre.
(Frymët e vdekura s’numërohen
në vende ateiste.)

Mamaja ime ishte rrobaqepëse
ndaj sajonte me lehtësi veshje
nga copa të mbetura.
Si e dyta në radhë, unë
vishja rrobat e motrës së madhe
(si të gjithë fëmijët në komunizëm).

(Shpesh i bija në qafë, kur doja ‘t’i shijoja’
ende pa më ardhur radha-
arsyeja e përhershme e grindjeve tona.)

Kur ra diktatura, i jemi gëzuar aq shumë
një pakoje me rroba të ardhura nga jashtë.
Kujtoj një sarafan kadifeje të butë

  • aq i bukur- s’mbeti vajzë në lagje
    pa e veshur në një dasmë.

Atë kohë, etje e madhe,
s’kishte asgjë,
derisa u hapën tregjet e para të gabelëve
me rroba të përdorura.

Burra, gra, fëmijë si kërkuesit e thesareve
endeshin nga një tezgë në tjetrën
I hynin me kokë kërkimit për
mbulimin modern të vetes.
Edhe unë kërkoja, si fëmijë kurioz
rrëmoja nëpër xhepa.
Një herë gjeta para, herë tjetër

  • foton e një gruaje.
    Xhaketën e bleu tjetërkush
    unë ruajta foton dhe enigmën:
    Kush ishte ajo grua?

Nëna ime thosh gjithnjë
se rrobat thonë shumë për njeriun
dhe rrobës ia jep vlerën, ai që e vesh.
S’ka lidhje me dukjen sqima:
Ti mund të gënjesh botën, por jo veten.

Unë mbaj veshur poezi
dhe qindra gra.
Ky është fustani më i mirë që kam.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT